Lajme

Trump i kërkon NASA’s të dërgojë njerëz në planetin Mars

Autori: Gazeta inFokus 21:08 | 27 May 2017

Buxheti i propozuar në muajin mars nga administrata Trump vë në dukje përkushtimin ndaj përpjekjeve të NASA’s për të dërguar astronautë në Mars.

Rreth 3.7 miliardë dollarë janë caktuar për zhvillimin e Sistemit të Lëshimit në Hapësirë si dhe të kapsulës Orion, që janë elementë kyç të përpjekjes së NASA’s për të dërguar qenie njerëzore më larg në hapësirën kozmike.

Pak banorë në këtë rrugë të qetë e dinë se tek firma “Ingersoll Machine Tools”, po ndërtohet e ardhmja e udhëtimit në hapësirë të njeriut.

-Advertisement-

“Nuk mendoj se njerëzit në qytetin Rockford e dinë që i prodhojmë ne këto pjesë”, thotë Mike Reese, drejtor i shitjeve në firmën “Ingersoll Machine Tools”.

Por, këto nuk janë pjesë dosido…

“Kjo do të jetë shtëpia e një astronauti”, thotë Rex Walheim, astronaut i NASA’s.

Këta janë komponentë thelbësorë të përpjekjes së NASA-s për të dërguar njerëzit sërish në Hënë dhe në vazhdim në Mars.

“Ky cilindër është pjesa qendrore e kapsulës Orion. Pra, këtu do të qëndrojnë dhe punojnë astronautët. Është pjesa që do na mbajë të gjallë”, tregon astronauti Rex Walheim.

Kjo është një ndër katër pjesët që firma Ingersoll prodhon për korporatën Lockheed Martin, e cila monton anijen hapësinore.

Specialisti i pajisjeve, astronauti Walheim, do të jetë duke vëzhguar nga Toka gjatë procesit të lëshimit në orbitë. Ai u bë pjesë e historisë si anëtar i ekipit të fundit hapësinor në vitin 2011. Ai tashmë punon si përfaqësues i NASA’s në programin Orion, për të cilin thotë se po tejzgjatet.

“Të gjithë donin që të veprohej më shpejt për ta nxjerrë këtë anije drejt hapësirës. Por, edhe në këtë pikë kemi bërë goxha progres. Tashmë kemi ndërtuar pjesët dhe jemi në fazën e testimit”, thotë Walheim.

“Tashmë fokusi i NASA-s është drejt destinacioneve më të vështira”, thotë menaxheri i programit të NASA’s, Mark Kirasich.

Kirasich thotë se puna e kompanive private për të zhvilluar pajisjet që do të zëvendësojnë programin hapësinor të mbyllur në vitin 2011, i mundëson NASA’s të përqendrohet tek kapsula Orion.

“Kemi realizuar dy testime dhe mendojmë se kemi arritur rreth 75% të provave. Pajisja e radhës do të jetë në bordin e Misionit Eksplorues 1”, thotë zoti Kirasich.

Cilindri i ekspozuar tek firma Ingersoll do të jetë pjesë e Misionit Eksplorues 2, që do të rikthejë astronautët në Hënë deri në vitin 2023, duke i përgatitur kështu edhe për udhëtimin e ardhshëm drejt Marsit. Herën e fundit që astronautët fluturuan rreth Hënës, Reese thotë se ai ishte ende fëmijë.

“U jam mburrur fëmijëve të mi për kapsulën Orion. I kam sjellë që të prekin me dorë paisjet dhe që të shohin se çfarë bëjmë këtu. Atyre u duket shumë interesant i gjithë programi dhe ideja e të shkuarit në Mars”, thotë zoti Reese.

Misioni Eskplorues 1 i NASA’s, së bashku me një testim të plotë të sistemit hapësinor dhe të kapsulës Orion, është planifikuar për të zhvilluar këtë vit. NASA synon ta dërgojë kapsulën Orion pa ekuipazh në një distancë rreth 40 mijë milje përtej Hënës. Ky do të jetë hapi i parë drejt Marsit, tek i cili shpresohet të mbërrihet në vitet 2030./voa/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera