Lajme

Tri doza të vaksinës për të kaluar kufirin, Shqipëria e Maqedonia kundërshtojnë ashpër vendimin e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 10:49 | 24 January 2022

Qytetarët e Kukësit do të protestojnë sot në pikën kufitare në Morinë, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, që askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimi me të tri dozat e vaksinës. Kundër, këtij vendimi ka dal edhe Maqedonia, duke kërkuar rishqyrtim urgjent të vendimit. Nga Qeveria e Kosovës kanë treguar se nuk pritet ta rishikojnë këtë vendim deri më 4 shkurt.

Nga dita e shtunë në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja Anti-COVID. Me masat e reja parashihet që çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë: Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19, ose certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19.

Tri doza të vaksinës do t’u kërkohen edhe qytetarëve që hyjnë në vend nga shtetet e rajonit, përfshirë këtu edhe nga Shqipëria e Maqedonia.

-Advertisement-

E kundër këtij vendimi kanë dalë Shqipëria dhe Maqedonia

Sot, qytetarët e Kukësit do të protestojnë sot në pikën kufitare në Morinë, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës.

“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja.

Kurse, zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Ilir Hasani ka thënë se kufizimi i lëvizjes mes Kosovës dhe Maqedonisë epidemiologjikisht nuk ka asnjë peshë për momentin.

Ai është shprehur se nuk po arrin të kuptoj veprimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi,

Tutje Hasani ka thënë se Latifi duhet të rishqyrtoj urgjentisht vendimin e marrë.

“ Me shumë vështirësi dhe mezi e bëmë hapjen e kufirit, pas kufizimeve të para që ishin vendosur në fillim të pandemisë. Një vendim i tillë i kufizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve tanë, kur tan bota fillon ti tërheq kufizimet dhe certifikatat, do reflektoj në  vështirësi të panevojshme në plan ekonomik, social, shpirtnor, etj. Ministër, kolegu im Latifi, respekt si profesionist që je, por vendimin duhet ta rishqyrtojsh urgjentisht.”, ka shkruar ai ditën e djeshme në rrjetin e tij social Facebook.

 

Ndërsa, kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës në lidhje me masat Anti-COVID, ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.

Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e marrë dhe ta plotësojë atë drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve.

Edhe anëtari i Kryesisë PDK-së, Adri Nurellari, ka reaguar  ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka vendosur që mos t’i lejoj qytetarët e Shqipërisë të hyjnë në Kosovë pa test PCR pavarësisht nëse i kanë dy doza të vaksinimit.

Nurellari tha se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti përsëriti skenat e dhimbshme dhe poshtëruese të kthimit në kufi të qytetarëve Republikës së Shqipërisë.

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Partia populiste Vetëvendosja dhe lideri i saj karizmatik Kurti e ka ndërtuar karrierën opozitare duke u thirrur në bashkim kombëtar, mirëpo kur është në pushtet bën krejt të kundërtën përkundrejt bashkëkombasve.

“Kjo është një kërkesë e tepërt dhe e paarsyeshme pasi si Kosova ashtu edhe Shqipëria, vaksinën e tretë kanë nisur ta administrojnë në fillim të dhjetorit, pra vetëm para pak javësh. Pra edhe po të donin qytetarët që ta merrnin dozën e tretë, do e kishin të pamundur sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë. Ky vendim është përseritje e sjelljes së njëjtë shpërfillësie ndaj Republikës së Shqipërisë gjatë mandatit të parë qeverisës të Kurtit dy vjet më parë”, ka shkruar ai.

Nga Qeveria e Kosovës kanë treguar se nuk pritet ta rishikojnë këtë vendim deri më 4 shkurt kur dhe do të vlerësohet efekti epidemiologjik i masave.

Sipas tyre këto masa janë marrë në mbrojtje të mospërhapjes së variantit omicron, ku përveç kufizimeve në kufi kanë shtuar orën policore në gjithë vendin nga ora 22:00-05:00.

“Nga kjo masë lirohen shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë territorit në 12 orët e fundit dhe të njëjtit nëse kanë nga dy doza vaksinash në të kthyer në vendlindje nuk kanë nevojë për test PCR. Nëse të njëjtit vonohen më shumë se 12 orë jashtë Kosovës, në të kthyer duhet të mbahen 7 ditë në karantinë në kushte shtëpiake. Gjithashtu nga kjo masë lirohen shtetasit e huaj që tranzitojnë përmes territorit të Kosovës brenda tri orësh, si dhe personat nën moshën 12 vjeçare”.

Qeveria e Kosovës i ka miratuar masat e reja anti-COVID. Kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, nga ora 00:00, që ishte në fuqi deri tani.

Me masat e reja, cilido person që hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR të 48 orëve të fundit. Nga kjo kërkesë lirohen ata që hyjnë transit, diplomatët e huaj, fëmijët nën 12-vjeç, e ata që kanë dëshmi mjekësore se janë të liruar nga vaksinimi.

Përjashtim bëjnë edhe shtetasit e Kosovës që s’kanë dy doza të vaksinës, por ata duhet të karantinohen në shtëpi për shtatë ditë. Të gjithë punonjësve të institucioneve publike do t’u kërkohet certifikata me të paktën dy doza. Procesi mësimor do të zhvillohet siç është bërë deri tani. Pensionistët vazhdojnë të jenë të liruar nga paraqitja e rregullt.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera