Lajme

Tri ditë pasi fitoi pozitë në PDK, shkarkohet Adem Grabovci

Autori: Gazeta inFokus 16:18 | 19 June 2019

Aktakuza e ngritur për skandalin e përgjimeve “Dosja e Shefave” është arsyeja e shkarkimit të Adem Grabovcit nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të PDK-së, tri ditë pasi arriti të zgjedhej në këtë pozitë.

Adem Grabovci, i cili prej tri vitesh ndodhej nën hije shkaku i skandalit të përgjimeve “Dosja e Shefave”, u rikthye për të marrë pozitë brenda PDK-së gjatë këtij viti.

Me 323 vota, të dielën ai është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Pejë.

-Advertisement-

Por, Grabovci është shkarkuar nga kjo pozitë, me vendim të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Fuqia e tij brenda PDK-së deri në vitin 2016 ishte e madhe. Këtë pushtet e përdorte për të punësuar në pozita shtetërore njerëz të afërm të tij. Kjo u dëshmua në serinë e përgjimeve telefonike “Dosja e Shefave”, të publikuar nga Insajderi në verën e vitit 2016.

Sipas përgjimeve, të cilat përfshinin periudhën dy mujore nga nëntori deri në dhjetor të vitit 2011, Grabovci punësonte qindra njerëz, zgjedhte dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Ai punësonte njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedhte prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit.

Për të gjitha këto veprime të Grabovcit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij dhe dhjetë të tjerëve – shumica prej tyre kolegë të partisë së tij – në vitin 2016. Rasti është ende në gjykim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera