Lajme

“Tregoni, është ekzekutuar apo jo Ervis Martinaj”, Rama ultimatum policisë: Nëse s’është vrarë kapeni

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 07 September 2022

Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë zhdukjen e Ervis Martinajt, duke i dhënë ultimatum Policisë së Shtetit, që të zbardhë misterin mbi fatin e të shumëkërkuari. Rama tha se është e papranueshme, që policia nuk di t’i thotë publikut nëse personazhi më i errët i botës së krimit është gjallë apo i vdekur. Rama tha se kjo dilemë duhet zbardhur menjëherë dhe se nëse Martinaj është vrarë, kjo i duhet bërë me dije publikut, e nëse jo duhet kapur për t’ju dorëzuar drejtësisë. Këtë porosi Rama ia delegoi Muhamet Rrumbullaku i cili është emëruar Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

“ Por Gushti që na solli dhe këtu ku jemi sot, ishte një befasi alarmuese. Një situatë e rënduar jo vetëm më vrasjet por dhe me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht se krahasimisht me vitet e mëparshme, me gjithë vrasjet e Gushtit ky është viti me numrin më të ulët. Por ky Gusht dhe çfarë ka ndodhur në këtë gusht duhet të shërbejë si shuplakë, dhe të na ngrejë në këmbë drejt objektivave më ambiciozë për Policinë e Shtetit.

Si është e mundur që policia e shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë ”, tha Rama.

-Advertisement-

Martinaj njihet si personazhi që mpleksi fortë krimin me institucionet shtetërore, kryesisht policinë, duke mos bërë më dallimin se ku mbaron mafia dhe ku fillon shteti, shkruan Express. Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera