Lajme

Tre problemet kryesore të kosovarëve: Varfëria, papunësia dhe çmimet për furnizimet esenciale

Autori: Gazeta inFokus 15:53 | 25 July 2024

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, të enjten ka publikuar edicionin e 26-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik.

Ashtu si në anketat e mëparshme, të anketuarit janë pyetur për problemet më urgjente me të cilat po përballet Kosova aktualisht.

Të dhënat e anketës së majit të vitit 2024 kanë treguar se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.7%) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.

-Advertisement-

Më tej, si probleme tjera janë identifikuar edhe shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%), të cilat kanë qenë ndër pesë problemet kryesore.

“Përqindja e të anketuarve që e kanë vlerësuar varfërinë si problem madhor ka rënë për 12 pikë të përqindjes, krahasuar me anketën e nëntorit të vitit 2023, kur varfëria (28.6%) është vlerësuar si problem madhor. Në vend të kësaj, përqindja e të anketuarve që e kanë parë papunësinë si problemin madhor kryesor është ulur për 2.9 pikë të përqindjes krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (19.2%)”, ka thënë UNDP në raport.

Përqindja e të anketuarve që i kanë parë çmimet për furnizimet esenciale si problem madhor është rritur me 3.8 pikë të përqindjes (12.7% në maj të vitit 2024, krahasuar me 8.9% në nëntor të vitit 2023).

Ndërkaq, të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se gratë e kanë renditur papunësinë si çështjen më madhore kryesore (18%) dhe varfërinë (17.8%) si çështje madhore të dytë, krahasuar me burrat, të cilët varfërinë (15.3%) e kanë renditur si çështjen më madhore, ndërsa papunësinë (14.7%) si çështje madhore të dytë.

UNDP thotë se të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar se papunësia renditet si problemi madhor kryesor për 16.8% të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa varfëria renditet si problemi madhor kryesor për 15.2% të serbëve të Kosovës dhe 19.5% të komuniteteve të tjera të Kosovës.

Përderisa varfëria renditet si problemi i dytë më urgjent për 16.6% të shqiptarëve të Kosovës, problemet e hapësirës urbane renditen si problemi madhor i dytë për 13.8% të serbëve të Kosovës, ndërsa energjia renditet si problemi madhor i dytë për 14.2% të komuniteteve të tjera të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera