Lajme

Tre këshilltarë të Pacollit garojnë në konkursin për shërbim diplomatik

Autori: Gazeta inFokus 19:27 | 15 May 2019

Së paku 3 këshilltarë të ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, ia kanë mësyrë që të bëhen pjesë e shërbimit diplomatik.

Duke qenë politikisht brenda Ministrisë së Jashtme, ata kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik, një konkurs ku Alketa Spahiu tha se nuk u ftua as në intervistë, përkundër shkollimit adekuat dhe përvojës së madhe.

Një vend në diplomacinë kosovare po e kërkon Fatmir Haxholli, këshilltar politik i kryediplomatit Pacolli, i cili aplikoi në konkurs.

-Advertisement-

Vetë Haxholli, i cili ka qenë zëri i Pacollit, kryesisht në përpjekje për t’i demantuar tërheqjet e njohjeve, nuk ka pranuar të flasë për konkurrimin.

I ka sugjeruar KTV-së që të kërkojë përgjigje nga Zyra për media e Ministrisë së Jashtme.

Listës së këshilltarëve të ministrit Pacolli që duan të bëhen pjesë e shërbimit diplomatik, i është shtuar edhe Liridon Sadrija.

Sadrija ka thënë se nuk është më këshilltar i Pacollit dhe se ky fakt nuk do ta favorizojë për t’u bërë pjesë e shërbimit diplomatik.

Elena Osmani, ish-anëtare e kabinetit të ministrit Pacolli, po ashtu ka konkurruar në këtë konkurs.

Në një përgjigje me shkrim, Zyra për media e kësaj ministrie ka thënë se të tre emrat e përmendur kanë qenë pjesë e kabinetit të ministrit.

Kanë thënë se konkurrimi i tyre për t’u bërë pjesë e stafit diplomatik nuk përbën shkelje ligjore dhe se do të shmanget çdo ndërhyrje.

“Konkursi që ju i referoheni ka qenë publik. Kjo nënkupton që secili shtetas i Republikës së Kosovës që i plotëson kushtet formale të konkursit mund të aplikojë. Personave që ju u referoheni dhe që kanë qenë pjesë e kabinetit më herët, u garantohet e drejta ligjore për të aplikuar dhe nuk kanë asnjë kufizim. Sa i përket pyetjes tjetër, ju informojmë që procedura e konkursit është e rregulluar me akte nënligjore të Ministrisë dhe, si i tillë, ky proces do të kalojë nëpër tri komisione profesionale, që janë edhe filtrat kryesorë të këtij procesi. Kjo nënkupton që nuk ka asnjë mundësi ndërhyrjeje”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për media e Ministrisë së Jashtme.

Ky konkurs ishte shpallur në fillim të muajit të kaluar dhe testi me shkrim tashmë është kryer. 15 persona do të pranohen, për t’u bërë pjesë e stafit diplomatik

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera