Lajme

Trajkoviq: Vuçiqi instaloi në pushtet një mafi që për 10 vite punuan për kriminalizimin jo vetëm të veriut të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:33 | 04 July 2023

Rada Trajkoviq, kryetare e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve ka kritikuar politikën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës, duke thënë se ai “instaloi në pushtet një mafi, të udhëhequr nga (Zvonko) Veselinoviqi, (Milan) Radoiçiq dhe shefi i policisë për veriun, (Zhelko) Bojiq”.

“Ka 10 vite që punojnë aktivisht për të kriminalizuar jo vetëm veriun e Kosovës. Ata krijuan një rrjet të tërë njerëzish që fillimisht duhej t’i dëgjonin dhe ai rrjet u forcua, veçanërisht pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit… Ky kriminalizim i serbëve u forcua dhe në momentin kur u ngrit aktakuza kundër Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, ata ikën nga Kosova”, ka thënë Trajkoviq, shkruajnë mediat serbe.

Ajo shton se ata tani janë “multimilionerë, dhe se janë një nga shfrytëzuesit më të mëdhenj të buxhetit të Serbisë, pra shfrytëzojnë disa nga projektet më të mëdha të vendit”.

-Advertisement-

“Ana Brnabiq ua cakton këto detyra. Ata u bënë njerëz që kanë aeroplanë, kamionë dhe jahte. Tani edhe pa Vuçiqin mund të financojnë grupe të caktuara”, citohet të ketë thënë më tej Trajkoviq.

Megjithatë, ajo veçon presidentin Aleksandar Vuçiq si fajtorin më të madh dhe kryesor në palën serbe, i cili ndikoi në shumë gjëra në Kosovë.

Dhe në këtë drejtim, ajo paralajmëron se nëse do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm, mund të ketë ikje masive të serbëve nga Kosova.

Ndërsa duke folur për një konferencë të mundshme ndërkombëtare të paqes, që të kujton Dejtonin, ajo u përgjigj. “Është ide e Ramës”.

Por sipas saj, “…Në kushtet aktuale, një konferencë e tillë nuk mund të sjellë një zgjidhje që nuk do të ishte përfundimtare”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera