Lajme

Tragjedia në Mal të Zi, si ndodhi ngjarja

Autori: Gazeta inFokus 21:25 | 12 August 2022

Tridhjetë e katër vjeçari Vuko Boriloviç ka vrarë disa persona në Cetinje dhe më pas është vrarë nga policia.

Siç ka mësuar Vijesti, ai ka qëlluar me armë në drejtim të disa personave në afërsi të vendbanimit të tij në Cetinje.

Vijesti, duke cituar burime nga policia dhe prokuroria, raportoi se të paktën 10 persona janë vrarë, katër persona janë transportuar në Qendrën Klinike dhe se mes të vdekurve ka edhe të mitur.

Sipas dëshmitarëve okularë, sulmuesi fillimisht ka vrarë fqinjën dhe fëmijët e saj, pastaj ka telefonuar bashkëshortin e të vrarës dhe i ka treguar se çfarë kishte bërë.

Më pas, sipas të njëjtave burime, ai ka vazhduar sulmin duke qëlluar në drejtim të fqinjëve dhe kalimtarëve.

Doktoresha Liljana Raduloviq ka thënë për media se në atë institucion janë pranuar katër persona të lënduar, tre prej të cilëve janë në rrezik.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, rreth orës 15:00, i armatosur me një pushkë gjuetie, ka kaluar nëpër lagje dhe ka filluar të qëllojë.

Të shtënat kanë ndodhur në afërsi të Shtëpisë së Qeverisë, ndërsa në mesin e të plagosurve është edhe një polic i cili është transportuar në Qendrën Klinike të Malit të Zi dhe gjendja e tij është stabile.

Në vendngjarje ndodhet prokurori i lartë i shtetit, shërbimet e emergjencës, policia dhe Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit.

Sipas informacioneve jozyrtare të Vijesti, gjithçka ka nisur si një konflikt familjar.

Të tjera