Lajme

Tomë Gashi i përgjigjet Hovenierit: Hapja e urës së Ibrit nuk rrezikon ushtarët amerikanë

Autori: Gazeta inFokus 21:31 | 13 August 2024

“Ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.

Kësaj deklarate të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i është përgjigjur avokati, Tomë Gashi, i cili ka thënë se “nëse ushtria më e fuqishme në botë rrezikohet për heqjen e 9 betonave, atëherë si bie që është ushtria më e fuqishme në botë”.

Gashi ka thënë se kjo deklaratë e ambasadorit amerikan nuk duhet të merret seriozisht, pasi sipas tij, ndërkombëtarët do të duhej të brengoseshin që këta betona kanë qëndruar kaq gjatë.

-Advertisement-

“Absolutisht jo s’ka rrezik, ushtria më e fuqishme në botë nëse rrezikohet për heqjen e 9 betonave.(I kam numëruar, që aty qëndrojnë pa kurrfarë nevoje prej qershorit 1999) i bie që nuk është ushtria më e fuqishme në botë.  Ambasadori amerikan pati deklaruar edhe për targa, por pastaj u bë reciprociteti. BE-ja e ambasadori ish dashtë që të brengosen që këta betona kanë qëndruar kaq gjatë”, ka deklaruar Gashi.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe.

Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe të NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.

Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi Qeveria e Kosovës më 5 gusht mbylli zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Hovenier tha se ShBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

Ai shtoi se “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri” e zvogëlojnë entuziazmin e ShBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Në anën tjetër, politologu, Fidan Ukaj ka thënë se për hapjen e urës së Ibrit duhet të ulet dhe të bisedohet me aleatët ndërkombëtarë.

“Ne duhet të ulemi me aleatët strategjikë dhe t’i bindim për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit”, ka deklaruar Ukaj.

Sipas tij, duhet të ketë riparim të raporteve me ShBA-në.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera