Opinione

Tmerri në Tetovë vetëm njëra pasojë

Autori: Gazeta inFokus 09:43 | 10 September 2021

Kush ka qenë në Tetovë ka mundur t’i sheh tabelat (ç)orientuese nëpër qytet, të cilat edhe me mikroskop vështirë lexohen. Nuk ka askund në Evropë tabela më të vogla (ç)orientuese se në këtë qytet. Dhe kjo nuk bëhet pa shkak e projeksion.

Shkruan: Agron HOTI

Përderisa paqja dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të ruhen në kurriz të shqiptarëve, të cilët vetëm kur formohen qeverirat sa për simbolikë bashkëpunimi ndëretnik i fusin në to, investimet në hapësira shqiptare lënë për të dëshiruar, e si rezultat i të cilave edhe ndodhi tmerri në Spitalin e Tetovës, ku dorëheqja e qeverisë do të ishte më e pakëta që do të duhej ndodhur.

-Advertisement-

Që pas Luftës së Dytë Botërore e deri me sot politika e këtij shteti vazhdimisht kishte këmbëngulur që nga Shkupi, që ishte qendra me më së shumti shqiptarë në rajon, të na ‘vetëkënaqnin’ me zhvendosje të qendrës shqiptare kinse pushtet-dhënëse në Tetovë në suaza të kinsepërmirësimit të situatës së shqiptarëve atje, diçka që në fakt edhe ndodhi.

Gjersa Greqia luan si të dojë me këtë shtet edhe pa pasur fare grekë në të, Serbia në anën tjetër i fryen zjarrit të përçarjes në favor të saj me shumë pak serbë në të, e Bullgaria e sheh si gjuhë dhe tokë të veten, Turqia përmes mega-investimeve në islamin politik mundohet që të gjithë shqiptarët atje t’i paraqesë si turqë, kurse Shqipëria e Kosova që kanë hisen më të madhe në këtë shtet me të kaluar të fuqishme shqiptare, kanë zgjedhur anashkalimin e tij dhe përçarjen mes vete.

Pra, të gjithë ata që më së paku kanë për të thënë për këtë shtet, thonë shumë, kurse Kosova e Shqipëria që më së shumti kanë për të thënë, thonë pak. Të gjithë që pjesërisht apo më së paku kanë për të thënë për këtë shtet e kanë kapur bajrakun, kurse shqiptarët që më së shumti kanë për të thënë s’bëzajnë se mos po u humbin privilegjet e pushteteve. Të gjithë në këtë shtet paskan histori veç shqiptarët jo. E një popull pa histori nuk ka të ardhme.

Se sa kanë në dorë shqiptarët në këtë shtet mjafton të shohim se kush drejton gati pa asnjë shqiptar punët e brendshme, të jashtme, shërbimin inteligjent, mbrojtjen, arsimin, shëndetësinë, sportin, kulturën dhe financat që në fakt përbëjnë shtyllat kryesore të shtetit. Shqiptarët gati shumicë, por duke u trajtuar si minorancë, kanë zgjedhur luftën e pakompromis mes vete, fetarizimin ekstrem të përditshmërisë në funksion të rend-ditave serbe, turke e arabe si dhe vetëkënaqësinë se po udhëheqin disa komuna dhe universitete margjinale.

E kjo përçarje e shqiptarëve i shpërqendron ata nga problemi kryesor që është të qenurit komb shtetformues në këtë shtet përmes ndryshimeve kushtetuese. Të shpërqendruar na dalin për fat të keq edhe Kosova e Shqipëria, të cilat para përbashkimit të kombit kanë zgjedhur garën për përçarje dhe polarizimi të tërë shoqërisë shqiptare.

Nga frika e të mbeturit i dyti në qytet në rast përbashkimi të shqiptarëve, drejtuesit politikë shqiptarë të të tria shteteve (Maq. e Veriut, Kos., e Shqip.) kanë zgjedhur të jenë të parët në fshat, sepse kështu i pëlqen më së shumti elementit sllav e grek, i cili ka mbi 100 vite që në fakt e mbjell këtë përçarje. Se për shqiptarët në Mal të Zi, Preshevë, Greqi e Turqi, historia si duket e ka kryer gati punën e saj, duke i harruar ata çdoherë e më shumë. Prandaj, ky tmerr që ka ndodhur në Tetovë është vetëm një pasojë për të cilën është investuar që mbi 100 vite.

E ne vazhdojmë me përçarjen për t’ua bërë qejfin armiqëve tanë! Kaq për turpin tonë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera