Sport

Tifozët e pakënaqur kërkojnë Ismet Munishin në vend të Challandes

Autori: Gazeta inFokus 09:47 | 13 October 2020

Kosova u mposht mbrëmë nga Sllovenia me rezultat 1-0, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të Grupit të tretë në Ligën C, në Ligën e Kombeve, shkruan Gazeta inFokus.

“Brazili i Ballkanit”, që kishte arritur të zhvillonte 15 takime pa asnjë humbje, duke bërë krenar një popull të tërë, tashmë po kalon në një periudhë të vështirë.

Por, ku qëndron problemi për këtë mos sukses, kush është fajtori?

-Advertisement-

Pas humbjes kundër Maqedonisë Veriore, tifozët ‘kryqëzuan” Atdhe Nuhiun, i cili nuk ishte në ditën e tij më të mirë duke mos arritur të bënte pothuajse asnjë pasim të saktë, lërë më goditje drejt portës.

Nga sharjet dhe ofendimet nuk shpëtuan as Rashica, Rrahmani dhe Muriqi, të cilët reaguan duke treguar arsyen e mosardhjes së tyre, arsyetime këto që disa tifoz i morën si të kota.

Kurse pas humbjes ndaj sllovenëve shumë tifoz, nga pakënaqësia, filluan të kërkonin dorëheqjen e trajneri aktual, Bernard Challandes.

69 vjeçari, që mori drejtimin e Kosovës në vitin 2018, kishte arritur të krijonte një frymë të re në grup, siguri tek lojtarët si dhe kishte fituar besimin e tifozëve, por pas disfatës së djeshme si duket gjërat kanë ndryshuar.

Tani tifozët kanë humbur shpresat, por edhe durimin, në filozofinë e teknikut zviceran, duke kërkuar kështu dorëheqjen e tij.

E njëri ndër emrat më të përmendur, si zëvendësuesi i tij është Ismet Munishi, që aktualisht është trajner i Ballkanit të Suharekës.

Munishi, që ndryshe njihet si ‘Ismet Baba’, disa herë në emisione sportive ka treguar mospajtimin e tij më Challandes, pasi ky i fundit nuk i fton lojtarët nga Superliga e Kosovës në grumbullim me kombëtaren, përjashtuar Visar Bekajn.

Kosova ka para vetes edhe një ndeshje, atë kundër Greqisë me 14 tetor në Athinë.

Mungesat janë të shumta, gjendja psikologjike nuk është aspak e mirë, por edhe ajo fizike për shkak të orarit të ngjeshur.

Se a do të arrijnë të rikthehen futbollistët në gjendjen e tyre të mëparshme mbetet te shihet, pasi situata aktuale nuk është aspak e mirë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera