Lajme

Thirrjet për ndërprerjen e grevës, SBASHK nuk zmbrapset – shkollat në udhëkryq

Autori: Gazeta inFokus 07:37 | 05 September 2022

Është e paqartë nëse të hënën do të nis viti i ri shkollor apo greva do të vazhdojë.

Kjo pasi Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit kanë bërë thirrje të ndryshme.

Përmes një komunikate, të dielën, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci iu ka bërë thirrje mësimdhënëseve që të shkojnë në punë nesër.

-Advertisement-

“Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mësimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, thuhej në komunikatë.

Madje edhe nga Komuna e Podujevës, drejtori i arsimit, Avni Fetahu ka thënë se greva do të ndërpritet.

Ai referencë e ka marrë deklarimin e tri shkollave në Podujevë për ndërprerjen e grevës.

Një ashtu edhe komunat e tjera ku qeverisë Lëvizja Vetëvendosja, Gjilani, Kamenica dhe Shtimja, janë që nesër të nis mësimi.

Por kështu nuk po mendon, Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës.

Gjatë një interviste në lajmet e mbrëmjes së RTK-së, ai ka thënë se nesër vazhdon greva.

“I lus prindërit të mos i dërgojnë nesër fëmijët në shkollë”, ka thënë ai.

E për sa i përket thirrjeve të pushtetit që greva të ndërpritet, ai ka thënë se “mësimdhënësit nuk bien në presion”.

Greva ka nisur më 25 gusht dhe si kërkesë ka shtimin e 100 eurove në pagë për përballimin e inflacionit.

Ndërsa Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve, ka kërkuar nga komunat listat e grevistëve. Ato s’janë ofruar nga shumica e komunave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera