Lifestyle

Thethi, zemra e Alpeve nën bardhësinë e borës (FOTO)

Autori: Gazeta inFokus 08:09 | 21 November 2018

Një nga bukuritë e rralla të Shqipërisë, Thethi është zgjuar në madhështinë e dëborës e cila i ka dhënë zemrës së Alpeve një pamje si të dalë prej përrallash.

Parku Kombëtar Theth i cili gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, tashmë është shndërruar në një panoramë mahnitëse ku bardhësia e dëborës ndërthuret me natyrën e egër alpine. Vizitorët në këtë park mund të shijojnë peizazhin e mrekullueshëm si dhe të eksplorojnë shtigjet interesante që janë atraktive për turistët e aventurës.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit të tre shteteve, parku quhet “Parku i Paqes”, ku në të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi, transmeton atsh.

-Advertisement-

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin edhe të turizmit kulturorë.

Një bukuri natyrore të veçantë, të bjeshkëve të Veriut, shpalos në këtë zonë, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me Mullirin e Blojës, kishën në qendër të fshatit formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i Lumit të Shalës në Okol, që derdhet në Liqenin e Komanit dhe formon plazhe të vegjël që shfrytëzohen gjatë verës nga pushuesit e ardhur nga vendi dhe kureshtarët nga bota. Për turizmin në Theth, kanë shkruar shumë medie botërore dhe shumë televizione kanë shfaqur reportazhe promovuese.

Thethi mbetet kurioziteti i turizmit shqiptar dhe vizitohet në çdo stinë të vitit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera