Lajme

Themelohet Dega e PDK-së në Baden Württemberg, Krasniqi: Qëndroni të angazhuar për t’ia sjellë Kosovës një Qeveri të re

Autori: Gazeta inFokus 19:19 | 07 July 2024

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi po qëndron në Gjermani, ku ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të themelimit të Degës së PDK-së në Baden Württemberg, kryetar i së cilës u zgjodh Shahin Dervishaj.

Kryetari Krasniqi ka thënë se ky Kuvend rikonfirmon mobilizimin dhe rritjen e pandalshme të PDK-së në mërgatë, ashtu siç po ndodhë edhe në Kosovë.

“Posaçërisht, dua ta falënderoj Kryetaren e Këshillit Inicues, znj. Lindita Haxhiu Zeqiri, me të gjithë anëtarët për përkushtimin e madh për të ardhur deri te ky moment. Është kënaqësi e madhe me i pa rezultatet e një angazhimi konkret që keni bërë ju këtu në Gjermani – ku po vërehet fuqizimi i çdo ditshëm i shtëpisë sonë të përbashkët – Partisë Demokratike të Kosovës. Tani, pas Zvicrës, Italisë, Suedisë, Francës, Kanadasë dhe Belgjikës, përmes këtij Kuvendi po nisim edhe etablimin e Degës së parë në Gjermani, nga gjashtë sa i kemi në tërësi. Prandaj, më gëzon shumë prania juaj e madhe këtu”, tha ai.

-Advertisement-

Lideri i PDK-së kritikoi Qeverinë Kurti për dështimet e njëpasnjëshme dhe paaftësinë e saj për të adresuar nevojat e popullit tonë apo sfidat me të cilat vendi po përballet.

Kur ndalet PDK – ndalet Kosova”: Të gjithë e mbani mend këtë fjali të ish-Kryetarit Kadri Veseli. Dhe shikoni se çfarë ka ndodhur: Në gati katër vjet qeverisje, pushteti aktual nuk ka arritur që të bëjë asnjë punë serioze për vendin. Mandati i tyre është shënuar nga izolimi ndërkombëtar, rezultat i drejtpërdrejtë i paaftësisë së tyre për t’u angazhuar diplomatikisht dhe për të ndërtuar marrëdhënie kuptimplote me partnerët tanë. Shkeljet e shpeshta të kushtetutës sonë nuk janë vetëm shkelje ligjore – ato janë sulme ndaj demokracisë sonë dhe shtetit të së drejtës. Në arsim kemi parë stagnim dhe regres. Edhe shëndetësia ka pësuar goditje të madhe, duke lënë qytetarët tanë pa kujdesin dhe mburojën e nevojshme shëndetësore. Ekonomia, dikur duke shfaqur shenja premtimi, tani ka ngecur nën keqmenaxhimin dhe mungesën e vizionit strategjik të kësaj Qeverie”, shtoi ai

Krasniqi tha se PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje për t’i  sjellë vendit një Qeveri të re, kredibile dhe zhvillimore, dhe se për këtë i duhet mbështetja e mërgatës.

“Vetëm përmes unitetit dhe qëllimit të përbashkët ne mund t’i kapërcejmë sfidat me të cilat përballemi dhe të ndërtojmë një Kosovë që është e fortë, demokratike dhe e begatë. Andaj, zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, ju bëj thirrje që të vazhdoni të qëndroni të angazhuar për Kosovën.  Roli i juaj, siç ka qenë gjithmonë, është vendimtar edhe sot. Së bashku, ne mund të sigurojmë që Kosova të përmbushë potencialin e saj dhe të nderojë sakrificat e atyre që luftuan e sakrifikuan për lirinë e saj. Së bashku do të ndërtojmë Kosovën që e meritojnë fëmijët tanë”, tha ai.

Pak javë më parë shënuam 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Megjithatë, për ne si PDK, ky moment historik ishte me emocione të përziera. Ne shënuam këtë përvjetor të rëndësishëm pa praninë e çlirimtarëve tanë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe shokëve të tyre – të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë. Mungesa e tyre është një kujtesë e ashpër e luftës së vazhdueshme për drejtësi dhe çmimit që po vazhdojmë të paguajmë për lirinë tonë. Megjithatë, ne, ju dhe çlirimtarët tanë në Hagë, e dijmë një të vërtetë të patjetërsueshme: Askush dhe asgjë nuk mund të ndryshoj historinë më të lavdishme të Kosovës – luftën e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së. As Gjykata Speciale nuk do të arrijë ta bëjë këtë. Ata janë heronj tanë të luftës dhe të paqes – dhe të tillë do të mbesin gjithmonë – edhe kur dielli do të lindë përsëri”, theksoi Krasniqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera