Lajme

Thaqi krenar me punëtorët e KEK-ut që janë në krye të detyrës edhe në këtë kohë pandemie

Autori: Gazeta inFokus 17:00 | 28 March 2020

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaqi, është krenar me punëtorët e ndërmarrjes që e drejton, të cilët janë në krye të detyrës edhe në këtë kohë pandemie, vetëm për të siguruar prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike.

Në një adresim që u ka bërë këtyre punëtorëve, Thaqi ka thënë se secili është i vetëdijshëm për situatën që po kalojmë dhe rrezikun e pandemisë që e ka tronditur gjithë njerëzimin.

Por, sipas tij, është shumë me rëndësi që në situata të tilla ka një armatë të madhe të punëtorëve që janë po kaq të vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë që kanë në këtë kohë të vështirë dhe qëndrojnë në krye të detyrës për të qenë në shërbim të qytetarëve.

-Advertisement-

“Bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e mia si drejtor menaxhues, së bashku me drejtorët e njësive, me kohë i kemi marrë të gjitha masat e duhura, kemi liruar nga puna punëtorët me probleme kronike dhe ata të cilët nuk janë të domosdoshëm të jenë në punë gjatë kësaj kohe, po ashtu kemi arritur të furnizohemi me pajisjet mbrojtëse dhe hixhienike edhe pse me shumë vështirësi”, ka shpjeguar Thaqi.

“Kemi aktivizuar mekanizmat e menaxhimit të situatës dhe kemi formuar shtabet emergjente.
Njëkohësisht po mundohem të jem pranë secilit punëtor në çdo kohë për t’i motivuar dhe njëkohësisht për t’iu kërkuar disiplinë strikte në respektimin e të gjitha udhëzimeve të institucioneve shëndetësore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit”, ka shtuar ai.

“Ne jemi në krye të detyrës dhe e kemi obligim dhe përgjegjësi për vendin, kurse ju qytetarë të nderuar, rrini në shtëpi, ruani distancën sociale, mbani pastertinë dhe kujdesuni për vetën dhe familjarët tuaj”, ka apeluar Thaqi.

Në fund ai është lutur për të gjithë.

“Lutemi për të gjithë që të mos e kemi asnjë rast të infektuar te punëtorët dhe familjarët e punëtorëve tanë. Lutemi për të gjithë ata që janë duke u trajtuar të kenë shërim sa më të shpjetë. Lutemi për shëndetin e stafit mjekësor dhe organeve të rëndit. Për të gjithë ata që janë në krye të detyrës e në shërbim të qytetarëve. Zoti na ndihmoftë të gjithëve! Bashkë do e kalojmë edhe këtë sfidë!”, është lutur Thaqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera