Lajme

Thaçi: Rruga e vetme për të ecur përpara, dialogu me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 14:13 | 25 April 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka potencuar se dialogu me Serbinë është rruga e vetme për të ecur përpara, derisa është shprehur i bindur se dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në OKB.

Kështu ka deklaruar Thaçi në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” organizuar nga Grupi për Dokumentime dhe Hulumtime.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën e as Serbinë pa i përmbyllur çështjet e hapura mes vete. Derisa tha se dialogu është i vështirë, porse i domosdoshëm për të dyja vendet.

-Advertisement-

“Edhe sot vazhdoj të jem i bindur se një marrëveshje obligative është e nevojshme dhe është domosdoshme për të dy vendet tona. Pse e them këtë? E them për arsye se ne nuk duhet të bëhemi pengesë për njëra tjetrën as Kosova as Serbia për të ardhmen evropiane. Një marrëveshje e tillë e lehtëson të ardhmen evropiane të të dy vendeve tona por e dërgon mesazhin më të mirë për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Dikush mund të thotë se dialogu është i panevojshëm. Unë i respektoj edhe kritikët e këtij procesi por një gjë mund të them Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën, as Serbinë pa i përmbyllur çështjet e hapura mes vete. Dhe këto problematika askush nuk mund të na i zgjidh neve pa treguar ne vetë vullnet, përgjegjësi. E di se dialogu do jetë shumë i vështirë për Kosovën edhe përkushtimi për pajtim do të jetë shumë i vështirë në veçanti për Kosovën, por në të njëjtën kohë jam i bindur se është rruga e vetme për të ecur përpara. Gjithashtu dua të potencoj se politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë, por kjo çështje iu takon partive politike”, tha ai.

Duke shprehur bindjen e tij se dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe OKB, Thaçi u shpreh optimist edhe për anëtarësimin në BE, duke përmendur edhe miqësinë me vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Po ashtu, ai tha se njohja e Rusisë është jetike për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Jam i bindur se që dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjell anëtarësimin e Kosovës në NATO por edhe në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu shpresoj dhe besoj fuqishëm që edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian është i mundshëm nëse ne punojmë. Ajo që desha të them gjithashtu është edhe në raport me vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ne ballafaqohemi me 5 vende të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën por të gjitha ato vende e kanë përshëndetur e kanë mirëpritur dokumentin e presidentit Ahtisari mbi bazën të cilën ne e kemi shpallur pavarësinë. Prandaj ato vende janë mike të Kosovës.”, tha ai.

Ai ka deklaruar po ashtu se imazhi i Kosovës ka qenë i dëmtuar viteve të fundit, duke përmendur gazin lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës. Derisa ka mirëpritur platformat që po prezantohen nga liderët politik të Kosovës sa i përket aktualitetit dhe agjendës planifikuese për të ardhmen.

Edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, tha se progresi do të jetë më i shpejt përmes kompromisit dhe konsensusit mes partive politike, derisa theksoi se Kosova duhet të përmbyllë kapitullin e tranzicionit dhe të mobilizojë të gjitha kategoritë shoqërore për të arritur objektivat e veta.

Sipas tij, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë çështjet më të rëndësishme për Kosovën.

“Në mesin e çështjeve më të rëndësishme janë marrëdhëniet me Serbinë dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Adresimi i këtyre dy problematikave me sukses do të mundësojë progresin e gjithë sektorëve”, theksoi ai.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se tashmë është një mundësi e hapur për shkak se janë përcaktuar hapa konkret se cfarë duhet të bëjnë vendet e rajonit për të ecur drejt integrimit evropian.

Apostolova theksoi se mbetet në përgjegjësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara me reformat në mënyrë që të afrohen drejt anëtarësimit në BE.

“Tani kemi një dritare të hapur, një mundësi të hapur. E para për shkak se ky instrument përcakton kushte shumë konkrete e që mund ta bëjnë progresin shumë të qëndrueshëm nëse vendet e rajonit i zbatojnë reformat. Pra kjo është një çështje e rëndësishme. E kemi udhërrëfyesin, e kemi instrumentin dhe tani mbetet në duart e partnerëve të Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në agjendën e reformave dhe të afron drejt anëtarësimit në Be. Pra gjithçka është në duart e partnerëve tanë”, theksoi Apostolova.

Për Kosovën edhe kjo është me rëndësi. Edhe njëherë dua të nënvizoj se Kosova është një prej 6 partnerëve që është përmendur aty dhe është trajtuar barabartë me vendet e tjera. Dhe duhet shfrytëzuar kjo që edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të mendojnë edhe njëherë qëndrimin e tyre”, tha ajo.

Ndërlidhja e Kosovës me strukturat eoruatlantike, sipas tij do t’i ndihmojë Kosovës që të arrijë standardet perëndimore, por sipas tij, shtysa më e madhe për këtë proces duhet të burojë nga vet Kosova.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi se nëse vendet e rajonit e mbështesin njëri-tjetrin dhe zëvendësojnë konfliktin me bashkëpunim, mund të krijohet një momentum i ri.

Ai ka numëruar temat kyçe të cilat duhet të zgjidhen në mënyrë që të arrihet dialogu me Serbinë, ku në mesin e tyre ka përmendur edhe mosnjohja e Kosovës dhe mos anëtarësimi i Kosovës në OKB, për të cilat tha se e rëndojnë dialogun me Serbinë.

Ndërsa ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha është shprehur optimiste se këtë vit do të hiqen vizat.

Ndryshe, konferenca “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” do të vazhdojë deri ën fund të ditës, ku pritet të marrin pjesë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit e partive politike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera