Lajme

Thaçi në Uashington: Kosova ka nevojë për kapitullin e fundit – marrëveshjen me Serbinë dhe integrimin në NATO e BE

Autori: Gazeta inFokus 20:58 | 25 February 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar udhëheqësit e dy “think-tank”-eve ndër më të rëndësishme në Uashington, me të cilat ka biseduar për nevojën që SHBA-ja të mbajë rol udhëheqës në proceset në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka bërë të ditur Presidenca.

Në takimin e parë me James Carafano, nënkryetar i “The Heritage Foundation”, Thaçi u shpreh se Kosova aspiron anëtarësimin në NATO dhe në BE.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE do të thotë më pak ideologji anti-perëndimore në tërë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Presidenti, dhe shtoi se për të ecur përpara Kosova po punon në arritjen e një marrëveshjeje të paqes me Serbinë për t’u liruar nga e kaluara dhe për të ecur përpara, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

-Advertisement-

Ndërsa, në takimin me Jane Harman në “The Wilson Center”, kreu i vendit u shpreh se Kosova është shumë me fat që në Uashington gëzon mbështetje bi-partizane.

“Në përkrahjen për Kosovën, në Uashington, nuk ka dallime në mes partive”, u shpreh ai, dhe shtoi se është me rëndësi që SHBA-ja të shtyjë përpara proceset e konsolidimit të Ballkanit Perëndimor.

Në të dy takimet, Presidenti Thaçi u shpreh se storia e Kosovës është storie e përbashkët e Kosovës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtoi se kjo storie ka nevojë për kapitullin e fundit që është marrëveshja finale e paqes me Serbinë dhe integrimi në NATO dhe në BE, thekson komunikata.

Thaçi u shpreh se është krijuar një momentum i ri me angazhimin e drejtpërdrejtë të presidentit amerikan Donald Trump dhe nëpërmjet të dërguarit special, ambasadorit Richard Grenell, dhe ftoi që të përkrahet dhe të shfrytëzohet ky momentum i krijuar për të sjellë paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik në Kosovë dhe në tërë Ballkanin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera