Lajme

Thaçi në 12-vjetorin e Pavarësisë: Kosova është faktor i stabilitetit në rajon

Autori: Gazeta inFokus 09:34 | 17 February 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan gazeta inFokus.

Përmes një postimi në Facebook ai ka shkruar se sot Kosova feston ditën më të veçantë në historinë e saj të re, ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Thaçi thotë se për të ardhur deri te 17 shkurti 2008 u deshën përpjekje, mund dhe sakrifica të mëdha për shumë breza me radhë.

-Advertisement-

“Në fund të shekullit të njëzet populli ynë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të Europës, tërë botës demokratike e liridashëse, me intervenimin e NATO-s u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe represioni i Serbisë. Brenda një periudhe tranzicioni, në bashkërendim me miqtë ndërkombëtarë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe brenda një kohe të shkurtër u njoh nga shtetet më të fuqishme të botës, nga demokracitë më të avancuara të globit”, ka shkruar ai.

Presidenti lavdëron punën e institucioneve të Kosovës për punën e bërë për këto 12 vite

“Kosova ka arritur të jetë pjesë e shumë institucioneve ndërkombëtare, me synim të qartë për integrim të plotë në BE, NATO dhe KB. Për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj integrimi në institucionet euroatlantike mbetet e vetmja alternativë. Kosova ka gatishmëri që të jap kontributin e saj në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë, përmes ndërmjetësimit të BE-së dhe ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Ai thotë se edhe në këtë përvjetor, si gjithmonë Kosova shpreh falënderimet e thella dhe mirënjohje për shtetet mike, që e përkrahën në ditët e vështira, për shtetet mike që e ndihmuan dhe e ndihmojnë edhe në këtë fazë drejt procesit të integrimeve euroatlantike.

“Kosova nuk harron kurrë sakrificën e mijëra dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidëve, të mijëra martirëve dhe të qytetarëve që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e saj. Kosova ka hyrë në dekadën e dytë të pavarësisë me besim, shpresë dhe bindje për një ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt”, ka thënë ai.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera