Lajme

Thaçi ndanë detaje nga biseda telefonike me Borellin

Autori: Gazeta inFokus 14:03 | 15 January 2020

Zyra për media e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë detaje lidhur me telefonatën që kreu i shtetit ka zhvilluar me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell.

Siç thuhet në komunikatë presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së janë pajtuar për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm që na presin detyra të mëdha dhe se është e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re, që do të përballet me sfidat dhe do t’i realizojë obligimet ndërkombëtare që ka Kosova”, ka thënë Thaçi.

-Advertisement-

Tutje kreu i shtetit ka  theksuar se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe të cilat janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka kërkuar që BE-ja ta përmbushë obligimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim meritor në këtë pikë”, ka thënë Thaçi në bisedën telefonike me Josep Borell.

Të dy përgjatë kësaj bisede u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në fund të bisedës, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në Republikën e Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera