Lajme

Thaçi mund t’i drejtohet kushtetueses!

Autori: Gazeta inFokus 20:10 | 12 July 2017

Presidenti nuk ka arsye të kërkojë sqarim në Gjykatën Kushtetuese për të caktuar mandatarin e dytë, në rast se dështon të formojë qeverinë Haradinaj, thonë analistët.

Gjykata Kushtetuese nuk duhet të përdoret për të arritur qëllimet politike, thonë ata. Interpretimi i vitit 2014 sqaron gjithçka, megjithatë, presidenti ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështje të cilën ai e konsideron të paqartë.

Nëse partia e parë, fituese e zgjedhjeve, në këtë rast koalicioni PAN, nuk arrin të sigurojë miratimin e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë, presidenti i vendit mund të shërbehet me aktgjykimin e vitit 2014, të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese, për mandatarin e dytë. Kështu konsiderojnë njohës të çështjeve juridike.

-Advertisement-

Por profesor Flamur Hyseni thotë se presidenti, megjithatë, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në këtë rast.

“Aktgjykimi i vitit 2014 e ka përcaktuar në pikat e tij. Në pikën e fundit thuhet se Presidentit nuk i përjashtohet mundësia që t’ia japë mandatin edhe kandidatit të dytë sipas procedurës së njëjtë. Nëse ai këtë e ka të paqartë se çfarë do të thotë kjo, ai mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarim tjetër. Është në kompetencën e presidentit, ai ka të drejtë, dhe ne asnjëherë nuk duhet ta shikojmë si të pamundshme këtë apo si diçka tendencioze, sepse ai ka të drejtë”, tha ai, raporton televizioni publik.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës konsideron se Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej të merrte një ankesë tjetër për çështjen e njëjtë. Rrjedhimisht nuk do të duhej as të lëshonte interpretime të reja për një çështje për të cilin tashmë ka dhënë interpretim. Por në situatë bllokuese, presidenti edhe mund t’i drejtohet asaj, për faktin se ka hapësirë ligjore rreth mandatarit të dytë.

“Duke i parë këto tendencat e partive politike në Kosovë,vazhdimisht kanë ditur të krijojnë situata bllokuese, dhe ajo zbrazëtira që mund të jetë është te ky diskrecioni i Presidentit për herën e dytë, për shkak se nuk ka një mjet të cilin Kushtetuta apo Gjykata e kanë paraparë, përmes së cilës presidenti do të bëjë verifikimin se kush nga subjektet politike e ka shumicën parlamentare për ta formuar qeverinë”, tha ai.

Për analistin tjetër Vigan Qorrolli, diskrecioni apo hapësira e veprimit të presidentit nënkupton që presidenti mandaton subjektin apo grupin e partive politike, të cilët e bindin atë se e kanë shumicën parlamentare.

“Nëse herën e parë, i nominuari nga koalicioni PAN për kryeministër, z. Hardinaj nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë në rastin e dytë Presidenti i Republikës duhet ti jap mandatarin shumicës, e cila e bind atë, për formimin e qeverisë dhe assesi dhe është në suazën e shefit të shtetit që mos të lejojë përsëritjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme sepse kjo është edhe e papërballueshme për një shtet të varfër siç është i yni”, tha ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 ishte kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar sqarime në lidhje me nenet përkatëse që përcaktonin dhënien e mandatit, partive për krijimin e qeverisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera