Lajme

Thaçi, Mogherinit: Duhet ta heqim pretekstin për bllokimin e dialogut

Autori: Gazeta inFokus 20:25 | 01 February 2019

Presidenti, Hashim Thaçi i është ankuar Mogherinin për kushtëzimin e Serbisë për nisjen e dialogut, duke marrë si pretekst taksën ndaj produkteve të saj.

Përkundër mirëkuptimit nga ana e Mogherinit, Thaçi ka thënë se mesazhi i saj ishte i qartë, shkruan gazeta inFokus.

“Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij”, ka thënë Mogherini.

-Advertisement-

Postimi i plotë i Thaçit:

Të gjithë pajtohemi se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është edhe arsyeja thelbësore pse Kosova ka qenë gjithmonë konstruktive dhe nuk ka ikur nga dialogu. Përvoja e deritashme e Kosovës me negociata është pozitive, duke filluar nga Rambujeja, Vjena, por edhe Brukseli. Dialogu ekzistues për normalizim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian vërtet është zgjatur shumë, por tani kemi një momentum që nuk duhet humbur për ta përfunduar. Dialogu gjithmonë ka qenë i pakushtëzuar nga cilado palë. Ky ka qenë dhe duhet të mbetet ende parimi udhëheqës. Prandaj, është krejtësisht e papranueshme që Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e tij, duke përdorur si pretekst vendosjen e taksës ndaj produkteve të saj. Pikërisht për t’u ankuar kundër kësaj qasjeje destruktive të Serbisë, sot bisedova përmes telefonit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Me këtë rast shpreha shqetësimin tonë për kushtëzimet e paarsyeshme të Serbisë, të cilat pamundësojnë vazhdimin e dialogut. Por, përkundër mirëkuptimit nga ana e saj, mesazhi ishte i qartë: “Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij”. Prandaj, pavarësisht se mund të duket e padrejtë, ne duhet të tregohemi sërish pragmatikë dhe t’i respektojmë këshillat e BE-së dhe të SHBA-së. Qëndrimi i BE-së dhe SHBA-së është i qartë dhe nuk lë vend për interpretime të lira. Duhet ta heqim menjëherë pretekstin që po e shfrytëzon Serbia për bllokimin e dialogut. Ky veprim demonstron përkushtimin tonë për marrëveshje paqësore dhe për më tepër, ruan dhe forcon aleancën tonë me BE-në, NATO-n dhe në mënyrë të veçantë me SHBA-në. HTH .

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu

Të tjera