Lajme

Thaçi: Edhe këshillat e miqve ndërkombëtarë kanë limit

Autori: Gazeta inFokus 22:43 | 14 March 2019

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka folur rreth marrëdhënies së shtetit tonë me ndërkombëtarët tash kur ka kërkesa për heqje të taksës. Ai ka treguar se çka kërkojnë dhe çka presin ata prej nesh.

“Të fokusohemi në qeverisje të brendshme, në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve, etj., në mënyrë që të mos mbetemi si vendi i vetëm i izoluar. Sot bota do që të na shohë me një qeverisje efektive, efikase, me standard dhe kriter evropian. Ata nga ne kërkojnë të jemi të përgjegjshëm në punën tonë – kreativë dhe fleksibilë në kuptimin e angazhimeve që i kemi dhe ato të ardhshme, sepse projekti i Kosovës nuk është projekt vetëm i ne kosovarëve, por edhe investim i SHBA-së dhe NATO-s” tha presidenti në Klan Kosova.

Thaçi thotë se megjithëse janë  miqësore, këshillat e ndërkombëtarëve e kanë një limit.

“Këshillat e tyre ndaj nesh janë shumë miqësore për një vend që ka investuar tash e dy dekada, që i kanë trupat ushtarake në Kosovë dhe që kanë investuar miliarda euro. Por, duhet kuptuar që edhe këshillat e tyre e kanë një limit dhe na kanë thënë shumë hapur se durimi po i humbet, por përsëri na kanë dhënë shanse që të jemi më seriozë dhe më të përgjegjshëm”.

Ai u shpreh se proceset integruese mund të kenë vonesa.

“A mund t’i zhagisim proceset integruese? Po! Gjithashtu mund të vonohemi, por përsëri dua të besoj se do të ketë më tepër përgjegjësi shtetërore”, ka deklaruar mes tjerash Thaçi si i ftuar në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova.

Presidenti u deklarua edhe rreth taksës së vendosur ndaj Serbisë, duke thënë se “ajo është në fuqi, por mallrat serbe janë në Kosovë në gjendje masive”, pasi sipas tij ato po vijnë përmes Maqedonisë dhe shteteve tjera fqinje.

Të tjera