Lajme

Thaçi dekreton gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 13:05 | 09 August 2018

Presidenti Hashim Thaç ka emëruar sot gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga një njoftim i zyrës së Presidentit.

Gjyqtarët e emëruar janë: Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi-Peci, Radomir Ljaban dhe Nexhmi Rexhepi. Të gjithë janë betuar sot para presidentit.

Ky është njoftimi i plotë nga Presidenca:

-Advertisement-

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 84 (4, 19) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare, nr. 47,  25 janar 2009), nenit 7 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare, nr. 46 / 15 janar 2009), në pajtim me propozimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 06-V-134, dt. 18 maj 2018 dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 06-V-174, dt. 06 korrik 2018), ka emëruar gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ceremonia e  betimit e gjyqtarëve të rinj para presidentit Thaçi është zhvilluar sot, ku e pranishme ka qenë edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi–Peci, Radomir Leban dhe Nexhmi Rexhepi, që sot kanë dhënë betimin para presidentit Thaçi, paraprakisht kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe emrat e tyre ishin shqyrtuar nga Komisioni i Posaçëm për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë të mbajtura në seancat plenare të Kuvendit.

Gjatë procesit të votimit të fshehtë, Remzije Istrefi-Peci kishte marrë gjithsej 83 vota, Radomir Leban kishte marrë 71 vota, Nexhmi Rexhepi kishte marrë 66 vota, Safet Hoxha kishte marrë 62 vota dhe Bajram Ljatifi kishte marrë gjithsej 58 vota.

Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë në historikun e saj, tanimë është vetëm me gjyqtarë vendorë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera