Lajme

Thaçi: Askush s’mund ta pengoj formimin e Ushtrisë së Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:50 | 03 May 2017

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për agjencinë serbe të lajmeve “BETA” ka thënë se transformimi i FSK-së tanimë është proces që ka nisur dhe nuk mund të ndalet.

Rifillimi i përpjekjeve të fundit për të siguruar mbështetjen e të gjitha komuniteteve për ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura, sipas presidentit Thaçi, si dhe shterja e të gjitha mundësive, do të përcaktojë nëse ushtria e Kosovës do të themelohet përmes ndryshimeve kushtetuese apo vetëm me ligj.

“Ajo që është arritur është se e kemi bërë të qartë se nuk do të lejojmë që askush, qoftë brenda apo ndonjë akterë tjetër jashtë Kosovës, të pengojë formimin e ushtrisë. Këtë e kanë kuptuar dhe e kanë pranuar të gjitha palët”, ka thënë Thaçi për BETA-n.

-Advertisement-

Ai ka thënë se ka qenë kërkesë e palës kosovare në fakt që themelimi i ushtrisë së Kosovës të bëhet me pajtimin e të gjitha palëve dhe të gjithë qytetarëve, përshirë edhe serbët e Kosovës.

“Ka javë që kemi filluar një fushatë informimi për të gjithë qytetarët, për t’i bindur të gjithë për nevojën dhe për dobitë e themelimit të ushtrisë së Kosovës. Për këtë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Por, në të njëjtën kohë, kjo nuk është çështje që mund të shtyhet pa fund. Kosova dhe i tërë rajoni ynë përballet me kërcënime të shumta për sigurinë e qytetarëve tanë. Është imperativ për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës që të kemi ushtrinë tonë. Kjo ushtri do të jetë profesionale, e standardeve të NATO-s dhe shumetnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Për debatin e hapur rreth “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe”, presidenti Thaçi ka thënë se vetëm ka përsëritur atë që e ka thënë që një kohë të gjatë, se mungesa e lidershipit dhe vizionit në Bruksel po i hap rrugë ideologjive dhe ndikimeve të tjera në rajon, nacionalizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit politik. Në të njëjtën kohë, sipas Thaçit, kjo po lejon që në Ballkan të shtrijnë ndikimin e tyre shtete të tjera që kanë agjenda të kundërta me ato që kemi ne.

“Ne dëshirojmë që të forcojmë paqen dhe stabilitetin në shtetin tonë dhe në tërë rajonin tonë. Prandaj angazhohemi që sa më parë të anëtarësohemi në NATO dhe në BE. Por, edhe NATO dhe veçanërisht BE-ja duhet të bëjnë çdo gjë që tërë rajonin ta afrojnë sa më shumë dhe sa më shpejtë. Vetëm duke u afruar me BE-në, vetëm duke e parë qartë në horizont perspektivën evropiane për rajonin, do të mund t’u bëjmë ballë kërcënimeve të ideologjive tjera. Asnjëherë nuk e kam përmendur Shqipërinë e madhe në diskursin tim politik. Një gjë e tillë është krijesë e Serbisë dhe një fantazmë që Serbia e mban gjallë dhe e ushqen për shkak se i shërben interesit të saj për legjitimimin e Serbisë së madhe, e cila tani funksionon nën hundët e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se reagimet në Beograd kanë qenë vetëm ripërsëritje e storieve të vjetra, me të cilat autoritetet serbe me dekada kanë manipuluar dhe frikësuar popullin.

“Janë të njëjtat stereotipe dhe paragjykime me të cilat është ngritur në pushtet Milosheviqi. Beogradi gjithmonë fajëson të tjerët për dështimet e veta apo për politikat e veta vrastare duke u përpjekur që t’i ndërsejë edhe të tjerët kundër fqinjëve të vet. Serbia duhet të ndahet nga e kaluara e vet dhe të kthehet kah një e ardhme e re. Kjo do të thotë të heq dorë nga politikat që shohin si armik çdo popull fqinj. Dhe të fillojë të shoh çdo popull fqinj si mundësi bashkëpunimi dhe forcimi për paqen, stabilitetin, drejtësinë dhe prosperitetin”, ka thënë Thaçi.

Për BE-në dhe shtetet anëtare të saj, presidenti Thaçi ka thënë se janë të konsumuara nga problemet e tyre të brendshme dhe është e kuptueshme që nuk mund t’i kushtojnë vëmendjen e duhur rajonit tonë.

Por, sipas tij, kjo nuk është zgjidhje, sepse mungesa e një dialogu të sinqertë në mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është në dëm të të gjitha palëve.

“Dështimet e kaluara të BE-së në relacion me Ballkanin nuk guxojnë të përsëriten”, ka thënë Thaçi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera