Thaçi i ashpër me ambasadorët, thotë se u ekzagjerua debati për Gjykatën Speciale
Autori: Gazeta inFokus 19:28 | 10 January 2018
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë ndonjëherë kundër sistemit të drejtësisë, por sipas tij ju mbetet deputetëve që të vendosin për Gjykatën Speciale.
Ai e ka quajtur të padrejtë këtë Gjykatë, por thotë se Kosova, institucionet e vendit kanë marrë vendimin, vendimi është në fuqi përderisa këto gjëra janë duke u diskutuar në parlamentin e Kosovës prej deputetëve.
“Duhet t’i dëgjojmë gjithashtu me vëmendje opinionet e deputetëve, të partive politike, shoqërisë civile dhe opinionet e të gjithëve, por në fund të fundit vendimi u takon deputetëve, vendim që edhe e kanë marrë”, thotë ai.
Ai ka kritikuar edhe ambasadorët e huaj për siç ka thënë ai, ndërhyrje.
“Duhet kuptuar që vendimet në parlament i marrin deputetët, njerëzit e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo ndërhyrjet brutale apo të dhunshme ndaj grupeve parlamentare, apo thirrjet e ndonjë ambasadori të caktuar se sonte është koha me hedhë gaz lotsjellës në parlament. Mendoj se këto thirrje e cenojnë rëndë demokracinë në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Intervista e plotë
Zëri i Amerikës: Zoti president, sulmin ndaj Gjykatës së Posaçme duket se e keni filluar ju, të paktën që në tetor të vitit të kaluar, para se të fillonte peticioni i shoqatave të veteranëve të ish UÇK-së. Argumentet e paraqitura prej jush janë të njëjta me ato që paraqitën kundërshtarët e gjykatës së posaçme në vitin 2015, argumente, që u debatuan dhe u kapërcyen pasi u arrit në përfundimin se moskrijimi i gjykatës do ta dëmtonte më shumë Kosovën se sa krijimi i saj. Çfarë ka ndryshuar tani që ju po sillni të njëjtat argumente që i kapërcyet para dy vjetësh?
Presidenti Thaçi: Realisht Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë ndonjëherë kundër sistemit të drejtësisë. Kosova ka dëshmuar bashkëpunimin më të mirë prej të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë me Tribunalin e Hagës, duke u dorëzuar vullnetarisht në akuzat e para që kanë ndodhur edhe pse janë dëshmuar përsëri si të pafajshëm të gjithë të akuzuarit. Prandaj edhe sot Kosova nuk është kundër sistemit të drejtësisë, nuk është për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë; tash opinionet e paraqitura nëpër debate duhen kuptuar si frymë e demokracisë, si debat i brendshëm dhe si opinione të shprehura prej kujdo qoftë. Edhe opinionet negative që kanë qenë edhe kundërshtuese edhe armiqësore të vitit 2015 i kam kuptuar dhe respektuar si debat demokratik. Këtë proces që e kam udhëhequr me përkushtimin që të themelohet kjo gjykatë edhe pse e padrejtë historikisht, e kam bërë vetëm që të ruhet partneriteti me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Prandaj edhe sot opinionet që paraqiten prej deputetëve janë opinione të njerëzve të zgjedhur, legjitimë dhe përfaqësues të popullit, proceduralisht të rregullta ligjore dhe kushtetuese; mendoj se ka një qasje të ekzagjerimit të opinionit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, sepse po ky parlament edhe në vitin 2015 e ka miratuar. Përfaqësuesit e popullit sot kanë opinione të ndryshme për këtë çështje, por nga ajo që kam lexuar, askush nuk është kundër sistemit të drejtësisë, kundër gjykatës, por e shohin si një opsion alternativ.
Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se jeni i gatshëm të nënshkruani nëse Parlamenti i Kosovës voton kundër Gjykatës së Posaçme?
Presidenti Thaçi: Unë do të bëja shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruaja; e kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve.
Zëri i Amerikës: Zoti president, kur bëhet fjalë për çështjen e kufirit me Malin e Zi ju vazhdimisht keni bërë thirrje që marrëveshja të miratohet. Pse këto dallime duke pasur parasysh që si Gjykata edhe marrëveshja për kufirin janë detyrime ndërkombëtare që i ka marrë përsipër Kosova t’i zbatojë?
Presidenti Thaçi: Gjykata e Posaçme është çështje ku vendimin e ka marrë parlamenti i Kosovës dhe tani u takon partive politike të përfaqësuara në parlament që të shprehin vendimin e tyre; pushtetet janë të ndara dhe unë nuk dal mbi parlamentin, as nuk përzihem në parlament por i respektoj vendimet e parlamentit botërisht dhe një qind për qind. Pajtohem politikisht apo jo, unë e kam këtë obligim ligjor. Sa i përket çështjes së kufirit me Malin e Zi, kjo duhet të kryhet, është e saktë, e qartë, precize e punuar prej ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë dhe vlerësuar prej të gjithëve; çdo vonesë, në veçanti në javët e ardhshme, do të jetë shumë goditëse për perspektivën evropiane të vendit.
Zëri i Amerikës: Cili është qëndrimi juaj për Gjykatën e Posaçme? Duhet të funksionojë në bazë të ligjeve ekzistuese, duhet të ndryshohen ligjet për të, apo ligji duhet të shfuqizohet tërësisht?
Presidenti Thaçi: Kosova duhet të vazhdojë të mbështesë sistemin e drejtësisë. Kosova duhet të trajtohet nga bashkësia ndërkombëtare njëjtë sikurse është trajtuar çdo vend i ish-Jugosllavisë, Kroacia, Bosnja apo Serbia dhe të mos trajtohet e diskriminuar apo si një vend ku kanë ndodhur krime të ish Jugosllavisë. Jo; burimi i krimeve në ish-Jugosllavi dhe gjenocidi është bërë nga Beogradi, i cili sot përkëdhelet nga bashkësia ndërkombëtare dhe lojaliteti i Kosovës nëpërkëmbet apo ndëshkohet nga ndërkombëtarët.
Zëri i Amerikës: Por, ju tashmë e keni përkrahur këtë gjykatë.
Presidenti Thaçi: Definitivisht. Institucionet e vendit kanë marrë vendimin, vendimi është në fuqi përderisa këto gjëra janë duke u diskutuar në parlamentin e Kosovës prej deputetëve; duhet t’i dëgjojmë gjithashtu me vëmendje opinionet e deputetëve, të partive politike, shoqërisë civile dhe opinionet e të gjithëve, por në fund të fundit vendimi u takon deputetëve, vendim që edhe e kanë marrë.
Zëri i Amerikës: Do të thotë çfarëdo vendimi, ju do ta nënshkruani?
Presidenti Thaçi: Të gjithë e dinë opinionin tim, angazhimin tim, përcaktimin tim edhe në qeveri edhe në parlament, por edhe tash pushtetet janë të ndara dhe unë do t’i kryej obligimet e mia.
Zëri i Amerikës: Zoti President, emri juaj është pjesë e raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty dhe është lakuar shpesh në medie si një nga të akuzuarit e mundshëm të kësaj gjykate. Për shumë nga kritikët është frika juaj dhe e udhëheqësve të tjerë të vendit që ka çuar në nismën për shfuqizimin e gjykatës. Si u përgjigjeni pohimeve të tilla?
Presidenti Thaçi: Të tillët kanë kritikuar edhe angazhimet e mia në vitin 2015 se po ndodhte themelimi i Gjykatës së Posaçme për shkak të çështjeve personale. Unë mendoj që ky proces duhet të depersonalizohet dhe të shikohet në prizmin e interesit strategjik të vendit dhe jo në rrafshin personal apo të fërkuarjes së duarve për ndonjë poenë politike të të dështuarve politikë në Kosovë apo të ndonjë përfaqësie të caktuar politike.
Zëri i Amerikës: A keni ju frikë nga Gjykata personalisht?
Presidenti Thaçi: Nga drejtësia nuk kam, nuk kam pasur dhe nuk do të kem kurrë dhe është mirë që Kosova ka qenë shembulli më i mirë në rajon për bashkëpunim me drejtësinë. Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të pastër si loti; është lëvizja guerile më e suksesshme që ka ndodhur ndonjëherë në botë; ne nuk kemi sulmuar askënd; kemi zhvilluar luftën për ta larguar Serbinë nga Kosova dhe kjo është fitorja më e madhe e kombit.
Zëri i Amerikës: Zoti president, nisma për të shfuqizuar ligjin u pasua me reagime të ashpra të diplomatëve perëndimorë. Ambasadori amerikan, vendet e Quintit, dhe Departamenti i Shtetit, reaguan ashpër brenda një harku kohor të shkurtër, duke paralajmëruar Kosovën për pasoja në proceset integruese. A jeni i shqetësuar me këto paralajmërime?
Presidenti Thaçi: Jam i shqetësuar me ekzagjerimin që i bëhet këtij procesi të opinionit të deputetëve të Kosovës. Duhet kuptuar që vendimet në parlament i marrin deputetët, njerëzit e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo ndërhyrjet brutale apo të dhunshme ndaj grupeve parlamentare, apo thirrjet e ndonjë ambasadori të caktuar se sonte është koha me hedhë gaz lotsjellës në parlament. Mendoj se këto thirrje e cenojnë rëndë demokracinë në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Por, ky është një obligim ndërkombëtar që ka marrë Kosova.
Presidenti Thaçi: Kosova është duke e respektuar, prandaj nuk ka nevojë për këto ekzagjerime, të cilat mendoj që kanë krijuar një panik krejt të panevojshëm te qytetarët e vendit.
Zëri i Amerikës: A nuk keni frikë se mund të ketë një izolim nga vendet perëndimore pas reagimeve të tyre?
Presidenti Thaçi: Definitivisht jo. Kosova edhe kështu është e izoluar, sepse nuk ka viza. Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është vonuar; nuk na lejohet që të aplikojmë për Interpol, për UNESCO, për Këshill të Evropës, gjë që ishin deklaruar qartë. Të tjerët mund të flasin, kush të dojë dhe si dëshiron, sepse as që ka qenë në rrjedha, por bashkësia ndërkombëtare është zotuar se do ta mbështesë në mënyrë më aktive në kryerjen e obligimeve që Kosova ka dhe ka marrë. Për fat të keq, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Zëri i Amerikës: Por, zoti president, këto janë detyra të brendshme të Kosovës që duhet të përfundohen.
Presidenti Thaçi: Neve na duhet mbështetja ta zëmë për anëtarësim në Unesco. Por përderisa vjen ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe mban fjalim një ditë para se të votohet në Paris për Unescon kundër Kosovës, mendoj që gatishmëria e të tjerëvë ka munguar, pra që të ketë një angazhim dinamik dhe të nivelit të lartë për anëtarësimin e Kosovës në Unesco. Ky ka qenë një projekt i përbashkët dhe për mua është plotësisht e padrejtë që i lejohet Serbisë të vendosë veton për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, kjo është e vërtetë. Në anën tjetër është plotësisht e padrejtë moslejimi që të aplikojmë për anëtarësim në Këshill të Evropës, në Interpol dhe mekanizma tjera ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Zoti President, një çështje që ditët e fundit ka nxitur debate është mosdhënia e vizës amerikane për Kryeministrin Haradinaj. A mendoni se kjo është e lidhur me kundërshtimin e tij ndaj Gjykatës se Posaçme?
Presidenti Thaçi: Nuk mendoj, besoj dhe e di që nuk është kundërshtim për vizë, është aspekt procedural që duhet ta kalojnë të gjithë.
Të tjera
-
Kremlini hedh poshtë raportimet e mediave turke se gruaja e Assadit kërkoi divorc dhe largim nga Moska
Kremlini hodhi poshtë të hënën raportet e mediave turke që sugjeronin se Asma...
-
Kundërligjshëm e pa përvojë pune, Rozeta Hajdari e bën zv. kryeinspektore ish asistenten e Albulena Haxhiut vetëm 8 muaj pasi u punësua në MINT
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish asist...
-
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje politike e Rugovës ia dha vendit demokracinë në të cilën fitojnë edhe rivalët tanë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri shkroi për përvjet...
-
Komuniteti i Ambasadës nderon Hovenierin për vizionin e tij për Kosovën
Komuniteti i Ambasadës Amerikane ka nderuar ambasadorin Jeffrey M. Hovenier m...
-
Hill: Nuk ka prova që lidhin Beogradin me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se SHBA-të nuk kanë k...
-
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanicë
Policia në Graçanicë me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon ndihmë...
-
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një ndërtesë të re
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Rama: Qendra Kulturore ...
-
Google bllokon mijëra ueb faqe të lajmeve të rreme pro Kinës
Grupi i Inteligjencës për Kërcënime i Google (TAG), në bashkëpunim me firmën ...
-
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
Zhgënjimi për mungesën e ndryshimeve dhe bllokimi i reformave çuan në suksesi...
-
Paralajmërimet saudite për të dyshuarin e sụlmit në treg u injoruan
Taleb al-Abdulmohsen, i dyshuar për sulmin në tregun e Magdeburgut, kisht...
-
Vetaksident në Klinë, vdẹs shoferi
Sot ka vdekur një person pasi është vetaksidentuar në fshatin Poterq të Klinë...
-
Gjatë javës së kaluar në rajonin e Ferizajt u raportuar 13 raste të vjedhjeve
Javën e kaluar janë raportuar 13 raste të vjedhjeve: 11 në Ferizaj, 1 në Kaça...