Lajme

Tetë ditë nga zhdukja e pejanit, policia dhe familja po kërkojnë ndihmë për ta gjetur

Autori: Gazeta inFokus 13:18 | 24 May 2019

Rrustë Rexhepaj, 47 vjeçar nga fshati Loxhë i Pejës, ka tetë ditë që është zhdukur. Më 16 maj kishte dalur nga banesa pa treguar se ku po niset, aty e ka lënë letërnjoftimin dhe telefonin. Që nga ajo ditë familja nuk ka informacion për vendndodhjen e tij.

Rrustë Rexhepaj së fundmi kishte lënë punën për shkak se nuk ndihej mirë me shëndet. Ai është i martuar dhe ka tre djem. Ditën kur është zhdukur kishte qëndruar në banesën e vëllait të tij në Pejë.

Besim Rexhepaj, vëllai i të zhdukurit, rrëfen ngjarjen për Gazetën Express.

-Advertisement-

“ Më 16 maj, rreth orës shtatë e gjysmë në mëngjes ka dalë nga banesa e vëllait, që nga ajo ditë nuk kemi asnjë gjurmë as informacion rreth vendndodhjes së tij. E ka lan me telefon, me letërnjoftim, me kulete dhe është nisë.”, thotë Besimi.

Ai thotë se kohëve të fundit Rrustës i janë shfaqur shenja të depresionit.

“Kohëve të fundit nuk ka punu se nuk u kan mirë me shëndet, ka pas depresion”, thotë ai.

Besimi thotë se Rrusta nuk e ka përmendur ndonjë lokacion se do të shkojë diku, po ashtu sipas tij është hera e parë që vëllai largohet nga shtëpia.

“Asnjëherë se ka përmend me shku dikund, as nuk u largu më herët kaq shumë prej shtëpisë”, tha ai për expressin.

Familja e ka kërkuar te të afërmit por ende nuk ka ndonjë rezultat. Rastin e kanë lajmëruar edhe në polici.

“E kena kërku te çdo njeri që e kena njoft, po nuk e kemi gjetë. Rastin e kemi lajmëru edhe në polici”, përfundoi Besimi.

Rrustë Rexhepaj është i martuar dhe ka tre djem nën moshën 18 vjeçare, për gjetjen e tij është angazhuar edhe policia. Madje, këta të fundit kanë lëshuar një njoftim për media, në të cilin luten qytetarët që në rast se e kanë parë diku Rrustën të lajmërohen në polici.

“Më datë 21.05.2019, në Stacionin Policor Pejë është raportuar rasti person i zhdukur, bëhet fjalë për personin Rrustë (Halil) Rexhepaj i lindur me 08.12.1972 në fshatin Raushiq të Pejës, me banim ne rruga ‘Mbretëresha Teutë’ Pejë.

Pas konsultimit dhe pajtimit me familjaret e viktimës dhe Prokurorin e shtetit kërkojmë nga ju nëse mund të na ndihmoni në arritje të çfarëdo informate për vendndodhjen e këtij personi. Në lidhje me këtë personin e lartcekur, kërkimet e deritanishme policore, nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, andaj kërkojmë nga të gjithë ata që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së tij të informojnë policinë në linjën emergjente 192”, thuhet në njoftimin e policisë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera