Lajme

Testi i maturës sërish me telashe, mbi 100 nxënës përjashtohen për shkak të kopjimit

Autori: Gazeta inFokus 17:21 | 18 June 2022

Provimi i maturës edhe sot është shpërndarë në rrjetet sociale, ku janë krijuar grupe me mbi 5500 anëtarë. Pjesë e këtyre grupeve thuhet se janë familjarët, studentë e profesorë. Derisa Ministria e Arsimit paralajmëron masa për administratorët, bëhet e ditur se për shkak të kopjimit, janë përjashtuar nga testi mbi 100 nxënës.

Organizata ETEA e cila ka bërë monitorimin e testit, bëri thirrje për pezullim të këtij testi, pasi ka pasur një numër të konsiderueshëm të shpërndarjes së testit në rrjete sociale.

Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, ka deklaruar për KosovaPress, se kopjimi në testet e maturës sot është me nivele alarmante për shkak të mundësisë që kanë krijuar rrjetet sociale dhe pajisjet teknologjike.

-Advertisement-

Gjatë gjetjeve të organizatës, Ahmeti tha se në grupe ku po shpërndahen përgjigjet e testeve, po angazhohen edhe profesorët e jo vetëm nxënësit apo familjarët e tyre.

“Sot kopjimi i ka përmasat e jashtëzakonshme, konsiderojmë në nivele alarmante për shkak edhe të mundësive që krijojnë rrjetet sociale dhe pajisjet teknologjike. Ne si organizatë e kemi përcjellur dy vitet e fundit testin e arritshmërisë dhe provimin e maturës, sidomos këtë vit kemi të gjetura që janë përtej imagjinatës, ku në këto grupe përfshihen edhe profesorë, prindër, familjarë dhe çfarë ka qenë më e çuditshme ndër të tjera, janë të përfshirë edhe studentët të cilët në mënyrë të tërthorte, ofrojnë ndihmë që në zgjedhjet studentore kur ata të regjistrohen në fakultet, ta kenë një lloje borxhi për të votuar për ata. Kemi një mobilizim prej të gjitha palëve për ta bërë një mashtrim kolektiv, viktimë e se cilës para se cilës janë vetë fëmijët që po i nënshtrohen këtyre testeve kombëtare”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti tregoi që këto grupe kanë kaluar 25 për qind të nxënësve të nivelit nacional, ku përfshinë dikur rreth 5500 anëtarë.

Ai theksojë se kanë raportuar te Ministria e Arsimit, ku kanë dërguar dëshmitë e tyre dhe kanë shprehur gatishmëri të ofrojnë ndihmë në identifikimin e administratorëve të grupit dhe për të dëshmuar nëse ka mësimdhënës në këto grupe apo jo.

“Kemi raportuar edhe te instancat institucionale siç është Ministria e Arsimit, përkatësisht përgjegjës për këto çështje, kemi dërguar dëshmitë tona në mënyrë që ata të mos justifikohen me mungesë të dëshmive. Dëshmitë janë të bollshme dhe kemi shprehu gatishmëri që të ofrohemi për ndihmë nëse aty ka interes për t’u thelluar identifikim fillimisht të administratorëve duke vazhduar nëse dëshmohet nëse ka mësimdhënës në këto grupe, pasi ky konsiderojë është problemi”, theksojë ai.

Ai dha disa rekomandime për parandalimin e këtij fenomeni, gjersa shtoi se më e arsyeshme është të pezullohen testet kombëtarë, pasi vetëm po i kontribuojnë mënyrës së mashtrimit.

“Ne kemi nxjerr edhe disa rekomandime që i kemi ndarë edhe me institucionet, ku konsiderojmë që është më e arsyeshme të pezullohet ky test dhe testet kombëtare, meqë shohim përmasa të tilla të kopjimit dhe këtu vetëm i kontribuojmë mënyrës së kopjimit dhe të mashtrimit, në anën tjetër shkaktojmë një stres, panik të panevojshme te fëmijët për arsye se ky test nuk e ka rezultatin dhe qëllimin që është konceptuar dhe për çfarë mbahet, konsiderojë që më mirë është të pezullohet apo të anulohet tërësisht, gjithsesi është mirë të mbahet por të mbahet në kushte të cilat janë të mirëfillta, korrektë për të gjithë fëmijët dhe të parandalohen të gjitha këto metoda të kopjimit”, tha ai.

Ndërsa tha se ka pajisje të cilat e parandalojnë futjen e valëve të internetit, që e pamundësojnë kyçjen në këto grupe.

Ndërsa, shef i divizionit për vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi tregoi për KosovaPress, se testi ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e testimit, por pohoi se në bazë të informatave të para, mbi 100 nxënës janë përjashtuar nga provimi për shkak të kopjimit.

“Në fillim të procesit komisioni në qendrat e testimit iu ka bërë thirrje nxënësve që nuk kanë drejtë të hynë brenda në sallë me telefon, shumica e nxënësve e kanë respektuar këtë rregull edhe pas këtij alarmi nxënësit kanë arritur të hynë në klasë me telefon, ku disa prej tyre kanë arritur të fotografojë testin, mirëpo shumica prej tyre janë larguar prej testit. Çfarë masa të kopjimit do të vërejmë pas publikimit të rezultateve… Diku rreth 100 nxënës janë përjashtuar nga provimi në bazë të informatave të para, pasi ende nuk janë kthyer të gjitha materialet në MASHT”, theksojë Elezi.

Elezi njoftoi se nxënësit që janë përjashtuar do t’i nënshtrohen provimit në afatin e gushtit, ndërsa për administratorët që nuk kanë ndërmarrë masa në parandalimin e kopjimit, do të merret masa.

Testet me fillim të provimit kanë nisur të shpërndahen nëpër rrjetet sociale, për këtë Elezi është shprehur se duhet hetuesia të zbulojë kush fshihet pas këtyre faqeve. Ai shtoi se ka informata se edhe mësimdhënësit janë anëtare të grupeve.

“Kjo mbetet punë e hetuesisë që të merren me administratorët e këtyre faqeve që i krijojnë për këtë qëllim dhe të zbulojnë kush fshehët prapa tyre a janë mësimdhënës apo vetëm nxënësit, mirëpo kemi informata që ka edhe mësimdhënës që janë anëtarë të këtyre grupeve dhe të shikojmë se çfarë masa duhet të ndërmerren ndaj tyre, po se pari duhet të zbulohen grupet dhe qëllimin e tyre”, ka thënë Elezi.

Ndërsa, rezultatet e provimit të maturës priten të dalin më 27 qershor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera