Opinione

Terrorizmi nuk ka komb

Autori: Gazeta inFokus 18:02 | 15 July 2022

Në mbrëmjen e 15 korrikut 2016, “Organizata Terroriste Fetullah” (FETO) tentoi një grusht shteti të përgjakshëm kundër popullit dhe qeverisë së vendit tim. Qëllimi i organizatës FETO ishte të krijonte një regjim radikal dhe fundamentalist besnik vetëm ndaj liderit të tyre, Fetullah Gylen-it.

Shkruan: Mevlüt ÇAVUSOGLU

Ndërsa njësitë e ushtrisë të lidhura me FETO-n lanë kazermat e tyre për të pushtuar pikat kyçe si Ura e Bosforit në Stamboll, njëkohësisht avionët luftarakë dhe helikopterët sulmues filluan të bombardonin objektivat strategjikë të vendit si Parlamentin, Kompleksi Presidencial, Bazat e Komandos Ushtarake si dhe Drejtoritë e Përgjithshme të Policisë; përballë kësaj situate, mijëra civilë dolën në rrugë për të kundërshtuar me forcë këtë tentativë të pashembullt të grusht shtetit. Puçistët e grushtit të shtetit vranë 251 civilë të pafajshëm dhe plagosën mijëra qytetarë të tjerë. Atë natë, populli turk duke sakrifikuar jetën e tij arriti të mbronte demokracinë. Kjo përgjigje heroike ishte diçka që puçistët nuk e kishin parashikuar.

-Advertisement-

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, para së gjithash është e nevojshme të kuptohet natyra e vërtetë e FETO-s. FETO u themelua në fund të viteve 1960 si një “lëvizje fetare”. Nën maskën e promovimit të arsimit dhe dialogut ndërfetar, ai arriti të maskojë qëllimet e tij dashakeqëse.

Infiltrimi i mirëplanifikuar dhe i përhapur i anëtarëve të FETO-s në ushtri, në organet e rendit, në gjyqësor dhe në institucione të shumta shtetërore, përfshirë ministrinë time, ishte rezultat i një plani gjithëpërfshirës që u krye në fshehtësi për dekada me radhë dhe arriti fazën përfundimtare në datën 15 korrik 2016.

Nëse tentativa për grusht shteti do të kishte qenë e suksesshme, sot do të ishte një Turqi shumë më ndryshe, nuk do të kishte demokraci dhe të drejtat e liritë themelore do të pezulloheshin pafundësisht. Populli do të binte në duart e një qeverie ekstremiste.

FETO jo vetëm që kontrollonte një pjesë të konsiderueshme të institucioneve arsimore, por zotëronte edhe një numër të madh institucionesh financiare. Llogaritë bankare ushqeheshin nga anëtarë besnik të FETO-s të cilët ishin aktive në tregti dhe në industri si dhe ishin nëpunës të administratës publike. Shumë civilë të pafajshëm, ndjenjat fetare të të cilëve u manipuluan duke u shfrytëzuar, u bindën gjithashtu të kontribuonin në burimet financiare të FETO-s. Të ardhurat e mëdha që siguroheshin nga shkollat e FETOs në mbarë botën janë transferuar fshehurazi në këto llogari në pritje të lëvizjeve përfundimtare.

Pas tentativës së përgjakshme të grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, kanë nisur me vendosmëri përpjekjet për pastrimin e sektorit publik dhe privat, përfshirë institucionet qeveritare dhe ushtrinë, nga të gjithë individët dhe kompanitë e lidhura me organizatën FETO-n. Disa nga puçistët udhëheqës u arrestuan, ndërsa disa prej të tjerëve i shpëtuan drejtësisë duke u larguar vendi dhe duke kërkuar strehim në shtetet e huaja. Fetullah Gyleni, kreu i organizatës terroriste FETO, ende banon në SHBA. Qeveria jonë prej vitesh kërkon ekstradimin e anëtarëve të FETO-s nga SHBA dhe vendet evropiane drejt Turqisë. Fatkeqësisht, këto kërkesa ende nuk janë përmbushur.

Nga ana tjetër, një numër në rritje i qeverive të botës e kuptojnë rrezikun që paraqet kjo organizatë terroriste për veten e tyre dhe po ndërmarrin hapat e nevojshëm. FETO gjithashtu angazhohet në aktivitete të paligjshme si mashtrimi me viza, pastrim parash dhe kontrabandë armësh. Si rezultat i kësaj, anëtarët e FETO-s po spastrohen nga sektori publik dhe privat në shumë shtete. Pas vitit 2016, shumë shkolla jashtë vendit që ishin të lidhura me këtë organizatë terroriste i kaluan në administrim Fondacionit Turk Maarif. Sot, shkollat e Fondacionit Maarif funksionojnë në shumë shtete dhe tashmë me aktivitetet e tyre ofrojnë një arsim të cilësisë së lartë në rangun botëror.

Lufta e Turqisë kundër FETO-s për nga natyra dhe shtrirja nuk ndryshon aspak nga lufta e saj kundër organizatave që përhapin terror ndaj autoriteteve dhe civilëve të shteteve të tjera duke hedhur ne rrezik kështu vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Turqia po bën atë që kanë bërë vendet përkatëse në të kaluarën në luftën kundër terrorizmit. Të gjitha procedurat janë në përputhje të plotë me ligjet.

Terrorizmi nuk ka kombësi, etni apo fe. Terrorizmi është një kërcënim për mbarë njerëzimin. Prandaj, këtij kërcënimi duhet t’i jepet një përgjigje në bashkësi dhe me vendosmëri. Asnjë shtet nuk ka luksin të bëjë ndarje mes terroristëve dhe asnjë organizatë terroriste nuk mund të klasifikohet si “e dobishme” në bazë të preferencave. FETO është përgjegjëse për humbjen e qindra jetëve dhe krimeve të tjera të rënda që i ka shkaktuar popullit turk. Gjashtë vite pas 15 korrikut 2016, Turqia vazhdon luftën e saj kundër organizatave të tjera terroriste si PKK, PYD-YPG, DHKP-C dhe DAESH, në të njëjtën mënyrë si me luftën kundër organizatës FETO.

Ne presim që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë në solidaritet me Turqinë në luftën kundër terrorizmit.

* Autori është Ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë.

Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera