Lajme

Termokos fillon furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje

Autori: Gazeta inFokus 17:02 | 11 October 2021

Pasi janë përcjellë me kujdes lëvizjet e temperaturave të ajrit, dhe pas përkeqësimit të motit, NP “Termokos” Sh.A, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e parakohshëm të furnizimit me ngrohje, shkruan Gazeta Infokus.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka falënderuar menaxhmentin e NP “Termokos” dhe gjithë punëtorët për angazhimin dhe kontributin, që kanë dhënë për funksionimin e ndërmarrjes.

“Unë gjithmonë e kam përmendur “Termokos”-in si një storie suksesi”, ka thënë kryetari Ahmeti optimist për zhvillimin e mëtutjeshëm të projekteve dhe të ndërmarrjes.

-Advertisement-

Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu ka falënderuar kryetarin Ahmeti për mbështetjen e vazhdueshme, që ka ofruar për ndërmarrjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer përgjatë këtyre viteve. 

Pas nënshkrimit të aneks kontratës për furnizim me energji me KEK-un, NP “Termokos” ka filluar sot të marrë sasitë e para të energjisë. Gradualisht energjia termike do të nisë të shpërndahet në rrjetin e ngrohjes, ndërsa efekti i saj pritet të vërehet nesër në orët e mëngjesit tek konsumatorët tanë.

Bazuar në Rregulloren për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji të ZRRE-së, përkatësisht nenit 6 të saj, pikës 2 dhe 3, në raste si këto kur temperaturat e ajrit janë më të ulëta se 12 gradë Celsius, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje.

Sado që, ky është një furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje, dhe si rrjedhojë edhe fillim i parakohshëm i sezonit ngrohës 2021/2022, shpresojmë për një sezonë të mbarë dhe të suksesshëm ngrohës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera