Opinione

Tërheqja e njohjes së pavarësisë pallavër lokale

Autori: Gazeta inFokus 00:42 | 16 February 2018

Shkruan: Agron Hoti

Tërheqja e njohjes së pavarësisë së një shteti tregon për joseriozitetin e njohësit dhe mosaftësinë e njohësit për përmbushje të obligimeve ndërkombëtare. E mospërmbushja e obligimeve ndërkombëtare tregon për karakterin e dobët të njohësit.

Shtetet në përputhje me rrethanat, analizojnë mirë gjendjen lokale, rajonale dhe globale dhe pastaj vendosin për njohje. Tërheqja e njohjes nuk është trend dhe as që do të bëhet e tillë, sepse po u bë, atëherë do të bëhet shembull i rrënimit të rendit ndërkombëtar, për të cilin bota demokratike nuk ka asnjë interes.

-Advertisement-

Se cfarë thotë ndonjë politikan aventurier në këtë apo atë shtet, kjo nuk e cenon rendin ndërkombëtar, pa merak. Shteti i Kosovës ekziston, ka probleme siç kanë edhe shtetet më të fuqishme në glob, ka xhepë-fryerje shumë më pak se ç’kanë shtetet më të fuqishme në glob, ka tenderomani shumë më pak se ç’ka në shtetet më të fuqishme në glob, fundja korrupsionin nuk e shpiku Kosova por e gjeti, fatkeqësisht, në mesin zhvillimeve dhe dinamikave në çdo cep të globit pa përjashtim.

Kosova ka bërë përparime në segmente të caktuara, për të cilat shteteve më të fuqishme në glob u janë dashur shekuj, ka dëshpërim mes qytetarëve sepse ideali jonë ka qenë që ne menjëherë pas shpalljes së pavarësisë do hamë me lugë dukati. Por ama shyqyr që kemi pasë kësi ideali, se përndryshe kujt s’i kishte hëngër palla për pavarësi.

E tash është ideali, ai që na bën të ndjehemi të papërmbushur plotësisht, por harrojmë që krijimi, ndërtimi dhe konsolidimi i shteteve është sikur të shtyesh bjeshkën me gjoks dhe duke qenë kështu duhet mbajtur për toke dhe zgjuar për toke.

Fakti që jemi shtet nuk na bën menjëherë Gjermani apo Zvicër, sepse shtetet përreth ekzistojnë që 150 vjet dhe nuk u bënë asnjëherë as Gjermani e as Zvicër, jo pse nuk deshën apo nuk duan, por nuk munden, sepse  forcimi i një shteti varet tepër shumë nga faktorët e jashtëm. E kush e di historinë e Gjermanisë dhe Zvicrës e di se në çfarë krajata historike kanë kaluar këto shtete. Edhe në Afrikë e Azi dhe Amerikë Latine ka plot shtete, të cilat jam i bindur që kanë dëshirë të bëhen si Gjermania e Zvicra, por që bukë nuk mund të ngihen.

A ka vend për kritikë, absolutisht po, sepse kritika rrit cilësinë dhe i jep rrugë shtetit, por kritika është qesharake kur bëhet pa vend dhe jashtë kontekstit rrethanor, kohor dhe hapësinor. Sigurisht që ne si qytetarë të këtij vendi do të kishim dashur të mos ishim të pushtuar dhe ta kishim shtetësinë qysh moti, por ja që rrethanat ishin të tilla fatkeqësisht.

Prandaj, pritjet t’i kemi për toke jo për hava…

Respekt!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera