Lajme

Teodosijeviq u dënua se e quajti trillim masakrën e Reçakut, Lista Serbe kërcënon me largim nga institucionet

Autori: Gazeta inFokus 17:40 | 05 December 2019

Ish-ministri i Administratës e Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, u dënua me dy vjet burg.

Ky u dënua pasi u shpall fajtor për deklaratat skandaloze që i kishte bërë duke thënë që “shkak për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”, shkruan gazeta inFokus.

Por, ky vendim nuk u prit mirë nga Lista Serbe, e cila ani se parti e regjistruar në Kosovë punon ngushtë me Beogradin zyrtar.

-Advertisement-

Këta në një konferencë për media thanë që në rast se ky vendim bëhet i formës së prerë atëherë do të mbahet mend si një letër e zezë nga gjyqësori kosovar.

“… dhe nëse aktgjykimi e mbështet Gjykata e Apelit ne do t’i ftojmë të gjithë përfaqësuesit e popullit serb të largohen nga institucionet ku punojnë”, u shpreh kryetari Goran Rakiq.

Ndryshe, Ivan Teodosijeviq akuzohej për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ai është obliguar që në emër të shpenzimeve të paguajë paushallin gjyqësor 50 euro dhe në emër të fondit të viktimave 50 euro të tjera, të cilat do të paguhen pas 30 ditësh, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Gjykatësi Konxheli, ka thënë se arsyetimin e këtij aktgjykimi në detaj do ta japin në formë të shkruar dhe me kohë do t’u dërgohet palëve./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera