Lajme

Tentuan ta plaçkitin këmbimoren, plagosën punëtorin

Autori: Gazeta inFokus 16:52 | 23 January 2018

Të premten e kaluar, katër persona tentuan ta plaçkitin këmbimoren “Euro-këmbimi”, në Gjilan. Kjo nuk ishte hera e parë që tentohej të plaçkitej. Vetëm se, këtë herë, plaçkitësit qëlluan të drejtim të punëtorit të këmbimores dhe e plagosën. Në kundëreagim, puntëtori qëlloi drejt tyre me armën e tij, duke i detyruar t’ia mbathin. Policia ende nuk ka arritur t’i identifikojë as t’i arrestojë ata

Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Katër hajna të maskuar dhe të armatosur hynë për të plaçkitur në këmbimoren “Euro-këmbimi” të premten, në Gjilan. Me të hyrë, ata shtinë me armë zjarri dhe lanë të plagosur një punëtor. Megjithatë, i plagosuri ka arritur t’i bëjë të ikin, duke qëlluar me armë më drejtim të tyre.

Punëtori është qëlluar me plumb në anën e majtë, nën zemër. Ai po trajtohet në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa, hajnat kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes. Policia e Kosovës është vënë në kërkimin e tyre.

-Advertisement-

Agron Shurdhani, pronari i kësaj këmbimoreje, rrëfen ngjarjen për Express.

“Kanë ardhë katër hajna me golf 2 edhe janë ndalë para këmbimores dhe janë fut në parahyrje. Si kanë hy kanë gjuajt menjëherë dhe kanë tentu me hy brenda, nuk kanë mujt me hy brenda edhe krejt ka zgjatë dikund 6-7 sekonda. Kanë gjuajt edhe në momentin e parë që kanë gjuajt është plagos punëtori Asllan asllani, nër zemër te brinjët”, thotë Shurdhani për Express.

Katër të dyshuarit nuk kanë arritur të vjedhin asgjë, pasi punëtori ka shtënë me armë në drejtim të tyre. Për këtë, ata janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

“Tani ky ju ka kundërpërgjigj kur ju ka kundërpërgjigj me armë ata kanë ikë. Punëtori kur i ka gjuajt ata kanë ikë mëniherë”, rrëfen më tutje pronari i këmbimores.

Në të vërtetë, ky nuk ishte tentimi i parë i plaçkitjes në këtë këmbimore.

Agron Shurdhani thotë se persona të armatosur kanë hyrë edhe më parë në këmbimore. Këtë herë, fatkeqësisht e kanë plagosur punëtorin e tyre, Asllan Asllanin.

Deri më tani të dyshuarit nuk janë gjetur nga policia, të njëjtit po vazhdojnë të kërkohen intensivisht.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha për Express se policia po vazhdon t’i kërkojë hajnat.

“Deri më tani nuk janë gjetur, jemi duke punuar intensivisht për t’i gjetur”, tha Hashani.

Në lokal janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa një veturë që dyshohet që është e hajnave me tabela 01 është gjetur të premten afër këmbimores.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera