Lajme

Tensionohet raporti SHBA – Turqi

Autori: Gazeta inFokus 22:44 | 09 October 2019

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se sulmi turk në Sirinë veriore është një ide e keqe dhe ai nuk e miraton operacionin ushtarak, duke shtuar se Ankaraja tani mban përgjegjësi për të gjithë luftëtarët e Shtetit Islamik në zonë.

“SHBA nuk e miraton këtë sulm dhe ia ka bërë të qartë Turqisë se ky operacion është një ide e keqe”, tha Trump në një deklaratë, duke theksuar se asnjë ushtar amerikan nuk është në fushën e sulmit.

“Turqia tani është përgjegjëse për t’u siguruar që të gjithë luftëtarët e ISIS-it në burg të mbeten në burg dhe që ISIS të mos rimëkëmbet sërish në ndonjë mënyrë, apo formë”, vazhdoi ai.

-Advertisement-

Kjo deklaratë i shtohet asaj të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili kërkoi sot ndërprerjen e ofensivës së nisur nga Turqia në veri të Sirisë dhe paralajmëroi se nuk do të ketë financime europiane për një zonë sigurie.

“Turqia ka probleme sigurie në kufirin e saj me Sirinë, që ne duhet t’i kuptojmë, megjithatë, i bëj thirrje Turqisë, sikurse çdo aktori tjetër, që të përmbahet. Një sulm do të përkeqësojë vuajtjet e civilëve, që tashmë është përtej asaj që mund të përshkruhet me fjalë”, tha Juncker.

Pas dy operacioneve të mëparshme, Turqia nisi sot një ofensivë te re në Siri, të quajtur Burimi i Paqes, kundër milicisë kurde të Njësive të Mbrojtjes së Popullit (PPU).

“Ky operacion synon terroristët e PPU-së dhe ISIS-it dhe ka për qëllim të krijojë një zonë sigurie në verilindje të Sirisë. Zona e sigurisë, që ne do të krijojmë, do të bëjë të mundur kthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre”, u shpreh presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan./

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera