Lajme

Tensionet në veri kthejnë në prioritet dialogun

Autori: Gazeta inFokus 10:30 | 29 September 2021

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë këtë të mërkurë do të mbajnë takimin e tyre të radhës në Bruksel.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Peter Stano.

Takimi në Bruksel mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë vjen pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës dhe pas vendosjes së reciprocitet për targat serbe nga ana e Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Ndërsa në takimin e delegacioneve pritet të marrë pjesë edhe zëvendës ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Takimet mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar më 7 korrik të këtij viti në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga BE-ja, por përveç diskutimeve për dallimet që kanë palët, asnjë vendim nuk është arritur.

Në përfundim të bisedimeve, të dyja palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të kaluara në kuadër të dialogut.

Dakordimi për hapjen e të gjitha arkivave përfshirë edhe ato të UÇK-së.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, më 7 dhe 8 shtator kishte zhvilluar tri takime prej të cilave takimi i parë ishte me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajcakun, një takim tjetër për implementimin e marrëveshjes për energjinë dhe targat e veturave, dhe takimi i tretë për të pagjeturit.

Ai ishte takuar edhe me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajcak dhe drejtorin e të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeveri të Serbisë, Petar Petkoviq, shkruan Gazeta Infokus.

Në këtë takim palët kishin rënë dakord që të hapen arkivat shtetërore përfshirë edhe ato të UÇK-së.

“Kemi diskutuar për gjetjen e modaliteteve për të arritur sa më shpejtë të familjarët e tyre. Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, që sipas tyre nënkupton që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK dhe kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive mund të gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë”, kishte deklaruar Bislimi.

Kjo temë zgjoi reagime të shumta nga ish ushtarët e UÇK-së të cilët mohonin se ka arkiva të UÇK-së.

Për Albin Kurtin dialogu nuk ishte prioritet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fillim të marrjes së mandatit kishte deklaruar se për Qeverinë Kurti çështja e dialogut nuk është prioritet.
“Mua më duhet të marrë ato dokumentet se nuk e di se ku e ka lënë zotëri Hoti këtë temë. Duhet të përgatitemi mirë për dialog, për këtë arsye unë nuk jam që të ngutemi. Më mirë është të jemi më modest dhe realist se sa të themi fjalë të mëdha dhe shkurtra”, kishte deklaruar Kurti. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera