Ekonomi

Tenderi i dyshimtë i Agim Bahtirit me furnizim për ushqim në çerdhen e fëmijëve (Dokument)

Autori: Gazeta inFokus 18:07 | 15 October 2021

Kuvendi Komunal i Mitrovicës më 3 dhjetor 2019 kishte hapur njoftim për dhënie të kontratës për furnizim në çerdhe.

Lënda e kontratës “Furnizim me ushqim dhe material higjenik për Qerdhën e Fëmijëve në arsimin parashkollor Q.F, “Gëzimi Ynë”- Komuna e Mitrovicës”, iu besua DPT “Genc”, me pronar Besim Sadikun.

Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës ishte më 13 dhjetor 2019, ndërsa numri i dosjeve të tenderëve të pranuar ishte 3.

Çmimi total i kontratës që ishte nënshkruar për furnizim ishte 6.680 euro. E, sa i përket këtij çmimi, Agjencia Kundër Korrupsionit ka gjetur disa shkelje në Komunën e Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga kryetari aktual Agim Bahtiri për keqpërdorim të dhënies së kontratës.

Agjencia Kundër Korrupsionit, pasi ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ka konstatuar se autoriteti kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit ka gjetur shkelje në kuotim të çmimit, kontratën publike, të llojit furnizim me vlerë të vogël të parashikuar prej 8 mijë euro, ndërsa në kontratë ishte 6.680 euro.

DOKUMENT (Kontrata e Komunës së Mitrovicës):

AKK, pasi ka analizuar me kujdes njoftimet për kontratë, dosjen e tenderit dhe specifikimet teknike, vërehet se tek përshkrimi i çmimit autoriteti kontraktues ka emëruar artikujt si në vijim: Artikulli nr.3. Qumësht- Alpsko; artikulli nr.5. Djathë-Feta; artikulli nr.6. Vaj Ushqimor-Olim; artikulli nr.8. Oriz-Dukato di Mantova; artikulli nr.9. Bukë Zhitopromet; artikulli nr.10. Makarona- Divella; artikulli nr.11. Fide-Divella; artikulli nr.13. Eurokrem 1kg; artikulli nr.14 Keks- Petit Beure 1kg; artikulli nr.17. Smoki- Stobiflips; artikulli nr.9. Jogurt pemësh-Frutis; artikulli nr.20. Jogurt-Vita; artikull nr.43 Fant për gullash 65gr; artikulli nr.46. Margarinë Zvejzda; artikulli nr.50. Domesdos dhe artikulli nr.52. Vim i lëngët, të cilat janë specifikuar nga njësia kërkuese në atë mënyrë që i përshtaten prodhuesve të caktuar dhe eliminojnë prodhuesit e tjerë.

DOKUMENT (Agjencia kundër Korrupsionit):

Ndërkaq, AKK ka kërkuar nga Haxhimet Ferati, menaxher i zyrës së Prokurimit në Komunën e Mitrovicës që të jep sqarime lidhur me tenderin i cili ishte nënshkruar me vlerë prej 6.680 euro, ndërsa nga Autoriteti kontraktues ka kërkuar që t’i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme drejtë evidentimit të shkeljeve në këtë tender.

Sipas kësaj agjencie, duke vepruar sipas detyrës zyrtare, pas kontrollimit të njoftimeve për kontratë që ka bërë në sistemin elektronik të Prokurimit, me datën 19 nëntor 2019, ka nxjerr vendim për fillimin e trajtimit të rastit.

Agjencia Kundër Korrupsionit konsideron se këto shkelje të tilla nuk duhet lejuar në aktivitet e prokurimit, andaj ka rekomanduar që të evitohen shkeljet e tilla, përmes njoftimit standard për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët të cilët e kanë tërhequr dosjen e këtij tenderi./Gazeta Infokus/

Të tjera