Lajme

“Tendencë e kapjes”, edhe LDK thotë se do t’i dërgojë në Kushtetuese ligjin për KPK-në dhe atë për KPM-në

Autori: Gazeta inFokus 16:54 | 11 July 2024

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se votimet e sotme nga deputetët e partisë në pushtet shpërfaqin “tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura”.

LDK thotë se këtë tendencë “nuk e pranon” as nuk “e toleron”.

“Votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës. Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populiste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës”.

-Advertisement-

LDK tha se mospërputhja me direktivat e Bashkimit Europian e të dy ligjeve në fjalë “është shmangie vlerore e orientimit tonë euro-atlantik, një praktikë tashmë e zakontë e pushtetit popullist që udhëhiqet nën logjikën e të majtës ekstreme”.

“LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë e si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë”.

LDK ka thënë se ka nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese.

“Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim. Fatkeqësisht për vendin, humbja e kohës për të pasur një reformë të denjë e thelbësore në drejtësi, mbetet e parikuperuar. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institutioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera