Lajme

Telashet e qytetit të patates

Autori: Gazeta inFokus 14:42 | 15 September 2018

Qyteti i patates, tash e disa vite, ka një telash të madh. Qytetarët nuk po mund ti shesin patatet. Në vend të tregut çdo vit ata derdhin sasi të konsiderueshme të këtij produkti në lum e në deponi të mbeturinave.

Një fat I tillë thonë se i pret edhe sivjet, shkruan gazeta inFokus.

Ata po ballafaqohen me problem serioz në eksport, derisa institucionet lokale dhe qendrore duket se nuk kanë gjetur një zgjidhje për tu dalë në ndihmë.

-Advertisement-

Shukri Xhaferi, cili ka të mbjella 30 hektarë me patate në komunën e Vushtrrisë nuk pret fare se dikush do ti ndihmojë për ta shitur “bereqetin”.

Ai nuk e di çfarë të bëjë pas nxjerrjes së patateve nga toka.

“Pasi ti heqim patatet i grumbullojmë dhe do ti vendosim ne depo, nëse vjen dikush me i marrë mirë nëse jo duhet me i hedh sikur vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar ai kishte hedhur në lum mijëra kilogram patate.

E procesi i nxjerrjes së patateve tashmë ka filluar. Ndërsa në Vushtrri është vetëm një kompani që bënë grumbullimin e tyre për ti përpunuar më vonë.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë Pestova, e cila çdo vit grumbullon mijëra ton patate nga fermerët ndërsa tregon se edhe këtë vit po përballen me telashe të ngjashme sikur më parë.

“Ka filluar procesi i hejkës së patateve, është pak thate dhe ka nevojë për pak shi, i cili e freskon dhe rrit kualitetin. Temperaturat nuk janë të larta këto ditë dhe jemi duke nxjerr në tempon më të madhe të mundshme”, tregon Kosumi.

Këtë vit ai thotë se i kanë rritur kapacitete përpunuese për shkak të rritjes së eksportit.
“…presim që minimumi të grumbullojmë rreth 15 mijë tonë. Ne i kemi 100 hektarë të kompanisë dhe 400 hektarë nga të gjitha viset ku kultivohet patatja, rrafshi i Dukagjinit patatja e hershme ndërsa rrafshi i Kosovës patatja e vonshme”, ka thënë ai.

Por, po të angazhoheshin më shumë institucionet kosovare për evitimin e barrierave në eksport, sidomos me Shqipërinë, Kosumi është I bindur se do te mund të grumbullonte më shumë patate nga fermerët.

“Ne presim nga Ministria dhe Institucionet të krijojnë kushte dhe ti largojnë barrierat që herë pas here po dalin”, shprehet Kosumi duke treguar se është duke eksportuar patate kryesisht në Shqipëri.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përveç ndihmës teknike për fermerët që të shtojnë kapacitetet prodhuese thotë se komuna ka ndonjë plan për ti ndihmuar fermerët në shitje.

“Për eksport si komunë nuk kemi kompetencë ti ndihmojnë. Megjithatë në të gjitha takimet që kam pasur me ambasadorët që kanë qenë, mbi 6 ambasadorë për të vizituar komunën e Vushtrrisë, kam kërkuar mbështetjen e tyre për procedurën e shitjes së patateve nga fermerët e Vushtrrisë”, ka thënë Tahiri.

Ai thotë se nuk është në dije për ndonjë plan të ministrisë së Industrisë.

“Nuk kam asnjë informacion që Ministria e Tregtisë është duke ndihmuar fermerët për të gjetur tregje të reja në kuptimin e përkrahjes për ti dërguat fermerët në panaire”, ka shtuar ai.

Por, Tahiri në kompetencë të tij tregon se ka ndihmuar fermerët me 6 makina për nxjerrjen e patateve.
“Ne në komunës fermerëve këtë vit u kemi ndihmuar me mjete bujqësore, janë shpërndarë 6 makina për nxjerrjen e patateve dhe po ashtu jemi duke i parë interesat për agrobiznese që janë kryesisht te fermerët që merren me patate d.m.th norma e interesit”, ka përfunduar Tahiri.

Gazeta inFokus në qershor të këtij viti kishte raportuar se në pa mundësi për ti shitur qindra kilogramë patate janë hedhur skaj fshatrave të komunës së Vushtrrisë.

Kultivuesit e patateve u patën shprehur të zhgënjyer me komunën dhe Institucionet e vendit pasi nuk u kanë ndihmuar në shitjen e tyre. Madje disa prej tyre patën arritur të shisnin asnjë kilogram teksa patën deklaruar se të ardhurat nga kultivimi i patateve janë te ardhurat e vetme financiare.

E kjo duket ti ketë shtyrë edhe këtë vit të provojnë ‘fatin’ në mbjellje të patateve./Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera