Kulturë

‘Teatri në kohë pandemie’, diskutime interesante dhe rekomandime nga konferenca e tretë teatrore

Autori: Gazeta inFokus 16:26 | 21 December 2020

Për herë të tretë është mbajtur në Prishtinë, konferenca teatrore, një ngjarje vjetore që i kushtohet zhvillimeve kryesore në teatër. “Teatri në kohë pandemie”, ishte edhe tema e edicionit të sivjetëm, që ka nxitur diskutime interesante mes panelistëve.

Profesorë, regjisorë, aktorë, artistë performativë, kanë shkëmbyer përvojat dhe idetë e tyre se si të përballohet efekti i pandemisë, që e ka prekur shumë edhe botën e teatrit.

Konferenca u zhvillua online, për shkak të rrethanave pandemike, që imponojnë distancë sociale dhe kufizime në grumbullimet e njerëzve.

-Advertisement-

Drejtoresha e konferencës teatrore, Prof. Elmaze Nura udhëhoqi debatin interesant që u zhvillua, duke ftuar MKRS-në që të hartojë strategji konkrete dhe të ndihmojë artet performative që ta përballojnë krizën për shkak të pandemisë. Sipas Nurës, përpjekjet për të bërë teatër online, nuk kanë dhënë rezultat, sepse teatri ka vlerë vetëm në komunikim direkt me publikun.

Panelistët kanë treguar eksperiencat e tyre gjatë pandemisë.

Kreshnik Musolli, drejtor i baletit të Kosovës tha se pavarësisht protokollove anti-covid, është vështirë të bëhet puna artistike duke ruajtur distancën sociale. Ai shtoi se mbylljet dhe kufizimet ndikuan në anulimin dhe shtyrjen e projekteve. Megjithatë, publiku nuk ka ngurruar që të shohë shfaqjet, edhe pse me numër të kufizuar.

Ndërsa profesori në Universitetin e Tetovës, Elmir Sejfullai, është shprehur se puna artistike në pandemi, ka qenë e vështirë. Sipas tij, puna online ka pasë grimca të vogla suksesi, por jo më shumë. “Të punosh teatër me frikën për jetën është e vështirë”. Ai ka thënë se deri sa të kryhet pandemia, duhet të mendohet që të reduktohen shfaqjet me shumë aktorë.

Sipas Fejsullahut, më së vështiri e kanë në këtë periudhë, artistët e lirë, që nuk kanë të ardhura të tjera përveç projekteve. Ai ka propozuar që të ndahen buxhet për artistët e pavarur, duke treguar se në Maqedoni, Ministria e Kulturës u ndan nga 100 euro për tre muaj kësaj kategorie.

Ndërkohë, aktori Armend Zeqiri, edhe pse sivjet kishte shumë ftesa për projekte, për shkak të pandemisë shumica e tyre nuk janë realizuar. Sipas tij edhe audienca është reduktuar shumë. Duke folur për transmetimin online të shfaqjeve, ai ka pohuar se është zbehur 99 për qind e performancave. Zeqiri beson se pas pandemisë, teatri do t’i kthehet normalitetit.

Ai ka shprehur shqetësim se nuk po bëhet një verifikim i duhur nga shteti, në mënyrë që të përfitojnë fonde artistët e pavarur.

Për pasojat e pandemisë foli edhe panelisti tjetër, regjisori Gëzim Hasani. Ai tregoi përvojën e tij me një projekt të zvarritur në Teatrin Kombëtar. Sipas Hasanit, është vështirë të ruhet distanca sociale mes aktorëve, kur dihet natyra e punës së tyre. Një ide që u dha nga ai, ishte që të kultivohet më shumë radio drama.

Eksperiencën e saj e solli në konferencën teatrore edhe regjisorja Fata Hyseni. Edhe ajo u pajtua me panelistët e tjerë se teatri onlinë nuk funksionon për shkak të specifikave që ka teatri. Ajo kërkoi më tepër mundësi nga shteti për artistët e kësaj fushe.

Edhe regjisorja dhe kostumografja Fatbardha Shala ka folur për vështirësitë e të bërit teatër në kohë pandemie. “Më mirë është që publiku të jetë i reduktuar deri sa të kryhet pandemia që shfaqjet të mos ndalen”, ka propozuar ajo.

Panelistët kanë propozuar që MKRS-ja të hartojë strategji të posaçme për artet performative, duke marrë parasysh efektet e rënda të pandemisë. Gjithashtu është kërkuar që të ndahen fonde për artistët e teatrit dhe të mbështeten në këtë periudhë të vështirë.

Pas diskutimeve me panelistët, Ministrisë së Kulturës do ti dorëzohen rekomandimet përkatëse si çdo vit tjetër. Propozimet e konferencës teatrore, kanë ndikuar në veprime konkrete nga ana e autoriteteve, në përmirësim të pozitës së artistëve të teatrit.

Kjo ngjarje e përvitshme, u mbajt nën organizimin e Cult Club, një organizatë me përvojë shumëvjeçare në fushën e teatrit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera