Lajme

Të shtëna e shpërthime, KQZ tregon se çka ndodhi gjatë ditës në veri

Autori: Gazeta inFokus 18:54 | 06 December 2022

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një mbledhje ku është diskutuar situata në veriun e Kosovës pas disa incidenteve të shënuara gjatë ditës së sotme.

Në tre komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok zyrtarët komunal të KQZ-së kishin dal në punë për t’i nisur përgatitjet për zgjedhjet e 18 dhjetorit.

KQZ njofton se vendosja e zyrtarëve në këto zyra ishte bërë me polici por u pamundësua puna për shkak të situatës së krijuar.

-Advertisement-

Komisioni Qendror njofton se tek zyra në Mitrovicën e Veriut janë dëgjuar të shtëna të njëpasnjëshme me armë zjarri dhe shpërthime.

“Ndërkohë, rreth orës 14:15 minuta, po ashtu nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, zyrtari ynë ka shkuar për t’u qasur në zyrën e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut, e cila ndodhet jo larg nga ndërtesa e administratës komunale e kësaj komune. Sipas njoftimit që kemi pranuar nga zyrtari ynë, është se, me të arritur te kjo zyre është parë se dritaret e saj ishin të thyera. Fillimisht, zyrtarët e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të Ministrisë së Brendshme kanë tentuar që ta hapin derën e zyrës, por kanë hasur në vështirësi, për shkak se nuk ishte e mundur të hapej dera prej metali. Në atë kohë, sipas njoftimit që kemi pranuar, zyrtari unë tregon se në afërsi janë dëgjuar shpërthime të njëpasnjëshme dhe të shtëna me armë zjarri. Pas kësaj situate të tensionuar, zyrtari ynë dhe të MPB-së e MAPL-së janë tërhequr. Pas tërheqjes së zyrtarëve, sipas raportimeve të më pastajme, zyra e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut është demoluar”, njofton KQZ-ja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtoi se zyrtarët komunalë zgjedhor janë tërhequr nga zyra në Zubin Potok nën sigurinë e Njësisë Speciale.

“Rreth mesditës, sipas informatave që kemi pranuar, zyrtarët e KQZ-së, në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë filluar që së pari që të funksionalizojnë zyrën në komunën e Zubin Potokut. Në hyrje të objektit të komunës, një zyrtare e komunës së Zubin Potokut, ka marrë dokumentet identifikuese të zyrtarëve të KQZ-së dhe pas identifikimit të njëjtit pastaj janë drejtuar për në zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, që ndodhet në ndërtesën ku funksionon administrata komunale e kësaj komune. Pasi zyrtari ynë ka hyrë në zyre, nën sigurinë e Policisë së Kosovës, është vërejtur se disa nga punonjësit tjerë të administratës komunale janë duke u larguar me shpejtësi. Pasi këta punonjës janë larguar nga ndërtesa, duke shkaktuar një situatë paniku, është hedhur një mjet që mendohet se ishte shokë-bombë. Në ato momente, është dëgjuar alarmi i qytetit dhe zyrtari ynë është siguruar nga Policia e Kosovës, dhe pas ardhjes së Njësisë Speciale janë tërhequr. Gjatë daljes nga objekti i komunës ishin mbledhur turma të njerëzve”.

Ndërkohë, edhe për dy komunat tjera, sipas informacioneve që kemi pranuar nga terreni, edhe në dy komunat tjera, Leposaviq dhe Zveçan janë dëgjuar alarmet e qyteteve dhe ka pasur grumbullim të personave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera