Lajme

Të rinjtë nga Ballkani “vrapojnë” drejt Gjermanisë: Një vend pune e vetmja rrugëdalje

Autori: Gazeta inFokus 17:43 | 02 October 2017

Në Gjermani numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70% në tetë muajt e parë 2017. „Die Welt“ i kushton (02.10) dy artikuj temës së punësimit të të huajve në Gjermani.

„Një punë në Gjermani, shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si të vetmen rrugëdalje nga papunësia në atdheun e tyre. Aplikantët pjesërisht duhet të presin një vit derisa Ambasadat Gjermane në vendet e tyre t’u lëshojnë vizën e punës.

Megjithatë në tetë muajt e parë të vitit është rritur me 70% në 63.000 numri i vizave të punës të lëshuara nga Agjencia Federale e Punësimit, shkruan gazeta „Die Welt”, duke iu referuar të dhënave që posedon nga kjo agjenci. Një në tre viza pune për vendet e treta, sipas këtyre të dhënave, i ka kaluar një aplikanti nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

-Advertisement-

Lehtësimi i procedurave për njerëzit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina është aplikuar që nga fillimi i vitit 2016. Arsyeja është: se në kulmin e fluksit të refugjatëve në vitin 2015 vinin edhe shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Autoritet gjermane ishin të papërgatitur nga ky fluks duke qenë të mbingarkuara me refugjatët nga Siria. Mëqënëse për të ardhurit nga Ballkani arsyeja e largimit nga atdheu ishte ekonomike, qeveria federale vendosi, një rregullore të re për këto vende duke i shpallur ato si vende të sigurta. (…)

Në kushte të tilla nuk ka më të drejtë për azil. Kësisoj qysh nga viti 2016 kandidatë për punësim nga këto vende mund të aplikojnë për një vizë pune. Kushti i vetëm është, që ato të kenë një ofertë konkrete pune nga Gjermania. Atyre nuk u kërkohet një kualifikim minimal apo pagë minimale, sikurse ndodh në rastin e së ashtuqajturës Blue Card, që është e parashikuar për specialistë. (…)

Kryesisht vizat e punës janë lëshuar për punëtorë në degën e ndërtimit, por ka nevojë për krah pune edhe në sektorin e gastronomisë, të shërbimeve dhe të kujdestarisë për të moshuarit.

Në Berlin ky model konsiderohet si i suksseshëm dhe po diskutohet nëse rregullorja e vlefshme deri në vitin 2020 mund të shtrihet edhe për vende të tjera veç Ballkanit si p.sh. në rajonet e Afrikës Perëndimore, për të pasur kështu një migracion të organizuar. Në një analizë të fondacionit Friedrich-Ebert thuhet, se rregullorja për Ballkanin Perëndimor „bart potencial të madh në rrugën drejt një politike inovative migracioni”, shkruan „Die Welt”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera