Lajme

“Të ngrehi zhag”…Skandalet ndër vite të Xhavit Ukajt – Si e kishte kërcënuar edhe asamblisten e LDK-së në Prizren (VIDEO)

Autori: H. Smajli 16:42 | 11 July 2020

Arsye për ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës të premten ishte një veprim i deputetit të LDK-së, Xhavit Ukajt i cili iu vërsul kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit.

E gjithë kjo pasi Osmani nuk i dha fjalën deputetit Ukaj, shkruan gazeta inFokus.

“A po ulesh edhe mos bërtit, sepse jeni ju që më së shumti e keni përdorë për 52 ditë fjalën paranojak, ulu ose kërkoj prej sigurimit me të qitë jashtë”, i ka thënë Osmani, Ukajt.

-Advertisement-

E Ukaj si kundërpërgjigje për këtë iu vërsul Osmanit e cila ishte duke udhëhequr seancën e Kuvendit të cilën e ndërpreu menjëherë pas këtij incidenti.

Mirëpo ky nuk është skandali i parë në të cilin është përfshirë tanimë deputeti i LDK-së.

Një përplasje të tillë ai pati edhe vitin e kaluar me asamblisten e partisë së tij në Prizren, Sadije Osaj Jakupi.

Në një prononcim për Gazetën inFokus, asmablistja e LDK-së e ka pranuar se kishte pasur një incident të njëjte me Xhavit Ukajn i cili po ashtu në atë kohë që Osaj Jakupi thotë se kishte ndodhur incidenti, kishin edhe të njëjtin post.

Osaj Jakupi për inFokus ka thënë se madje Ukaj e ka kërcënuar me fjalët “Unë t’ngrehi zhag” dhe pastaj “Merri krejt burrat e familjes e eja unë ju dal përballë”.

Osaj Jakupi ka treguar  se si erdhi deri te kërcënimi që Xhavit Ukaj i bëri asaj, shkruan gazeta inFokus.

“Sulmi ka qenë si pasojë e një pike të rendit të ditës të cilën unë e votova për në Kuvend sepse ishte në të mirë të qytetarëve. Drejtoria e Urbanizmit e kishte prpozuar atë projekt të cilin Xhaviti nuk dëshironte ta votonte por mua nuk më intereson kur është për të mirën e qytetarëve të Prizrenit. Ne kemi pas takim në zyre dhe unë  ekundërshtova sepse nuk më intereson emri apo kush është personi ai madje më tha: “A e din kush jam unë” por mua nuk më intereson aspak”, tregon Osaj Jakupi.

Ajo madje thotë se mbrëmë kur e ka parë  rastin se si i është vërsulur Vjosa Osmanit nuk është quditur me sjelljen e tij.

“E kam pas pothuajse të njëjtin problem por të them të drejtën nuk e kam marrë parasysh. Unë mbrëmë kur e pashë rastin më ka ardh shumë keq madje menjëherë e kuptova se ai duhet të jetë Xhavit Ukaj. Është për të ardh keq një sjellje e tillë por nuk më ka quditur”, thotë ajo.

Asambleistja e LDK-së e cila është edhe profesoreshë me profesion i bën thirrje popullit që persona të tillë të ndëshkohen me votë dhe të mos lejohet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

“Për mendimin tim kjo nuk është një sjellje që një deputet duhet të ketë populli duhet ta ndëshkojë me votë. Ka shumë njerëz të mirë që e kan merituar dhe kanë mbetur jashtë Kuvendit e që mua më vie shumë keq kur shoh se persona të tillë kanë arritur të hyjne brenda”, ka thënë Osaj Jakupi për inFokus.

E sipas saj sulmet e tilla nuk kanë të bëjnë aspak me faktin që ato janë gra por është pjesë e kultures të secilit person.

“Po të ishte edhe burrë besoj që do të vepronte njësoj pasi është pjesë e kultures. Pse jam femër me më sulmu nuk besoj që kjo duhet të ndodhë. Shpresoj që njerëz të tillë të vetëdijësohen”, ka përfunduar ajo.

Por Xhavit Ukaj i LDK-së probleme të tilla pati edhe me persona të tjerë, shkruan gazeta inFokus. 

Me 25 prill 2019, ai pati një përplasje tjetër me asamblistin e Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Bardh Avdaj.

Avdaj kishte thënë “Nuk mundeni me i akuzu njerëzit e PDK-së për keqpërdorime. E kur përmenden keqpërdorimet këqyrni këta të e LDK-së”.

E i menjëhershëm kishte qenë reagimi i Ukajt.

“Ngo çka po të them: nëse ke diçka – qe drejtoju drejtorëve ankesa a çka ke. Me ne të LDK-së s’ki çka merresh, as mos na përmend hiç LDK-në, a u ba?”, iu kishte kthyer Ukaj.

Mos e ngrit zanin se nuk dimë na mu friku! Ti mua nuk ke nevojë me ma ngrit zanin! Rri pak se unë po foli! Mua personal s’ki me ma ngrit zanin! A u ba? Se nuk frikohem as Bardh Avdaj as PDK-ja”, iu kishte drejtuar Bardh Avdaj asamblistit të LDK-së.

E kur Avdaj i tha Ukajt se “kur të foli personale për ty atëherë mundesh me folë”,  Xhavit Ukaj iu drejtua: “More ti personale as s’guxon me fol për mua, personale asnjë fjalë s’guxon me fol, jo ti po askush!”.

Madje për këtë ende është e publikuar edhe një video në youtube ku shihet Ukaj në këtë zënkë me asmablistin e  PDK-së, ku Ukajn e largojnë edhe nga salla e Kuvendit të Prizrenit./Gazeta inFokus/ 

Në vazhdim mund të gjeni videot:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera