Shëndetësi

Të mbash shpinën drejt, ja përse është e rëndësishme për shëndetin

Autori: Gazeta inFokus 07:27 | 01 April 2020

Mënyra e të qëndruarit ulur ose në këmbë dhe ecja janë një pjesë e rëndësishme e një stili të shëndetshëm jetese. Njerëzit zakonisht nuk i kushtojnë vëmendje mënyrës se si ecin dhe qëndrojnë, duke anashkaluar kështu rëndësisë që pozicionimi i trupit ka në shëndet. Mësoni më poshtë të renditura nga AgroWeb.org ndryshimet që ndodhin në organizëm kur ju ruani pozicione korrekte të trupit.

Do Të Keni Më Shumë Energji
Qëndrimi drejt e lejon diafragmën të punojë në mënyrë më efikase. Frymëmarrja është më e lehtë dhe jo e stërmunduar, thonë studimet të cilave u referohet AgroWeb.org. Nëse ju qëndroni të përkulur përpara kompjuterit apo tryezës së punës, do të keni vështirësi në frymëmarrje. Kraharori nuk zgjerohet siç duhet në çdo frymë dhe kapaciteti i mushkërive është i ulët. Nëse frymëmarrja është në ritmet e duhura, organizmi merr më shumë oksigjen dhe nxjerr më shumë dioksid karboni, thonë ekspertët.

Do Të Digjni Më Shumë Kalori
Pozicioni i duhur i trupit përmirëson qarkullimin e gjakut dhe sasinë e oksigjenit që futet në organizëm. Pozicioni i duhur i gjymtyrëve dhe qëndrimi drejt ju ndihmon të humbisni më shumë kalori, sidomos nëse kryeni aktivitet të rregullt fizik.

-Advertisement-

Më Pak Dhimbje Koke
Mënyra se si qëndroni ose e mbani trupin luan një rol vendimtar në shfaqjen e dhimbjeve të kokës. Këto dhimbje shfaqen si pasojë e kontraktimeve të qafës, shpinës ose nofullës. Nëse ju qëndroni me shpatulla dhe kokë të përkulur përpara, do të keni më shumë dhimbje të tilla koke.

AgroWeb.org ju këshillon të siguroheni që t’i mbani shpatullat gjithnjë drejt dhe paralel me kokën. Herë pas here, lëvizini shpatullat nga mbrapa që të parandaloni kontraktimet.

Gjymtyrët Kanë Nevojë Për Ajër
Qafa, shpatullat dhe muskujt përreth vuajnë pjesën më të madhe të dhimbjes që shkakton qëndrimi i keq. Sa më shumë të zgjasë kontraktimi i muskujve aq më të forta do të jenë problemet shëndetësore afatgjata, thonë studimet të cilave u referohet AgroWeb.org. Nëse nuk e rregulloni pozicionin e trupit, atëherë përgatituni të vuani nga dhimbjet e mesit dhe problemet me kockat më vonë.

Më Pak Stres
Studimet kanë treguar se nëse qëndroni ulur dhe drejt, do të ndiheni më pak të stresuar. Njerëzit që mbajnë një qëndrim të drejtë të trupit, janë më energjikë dhe të ndihen më të fortë. Njerëzit që qëndrojnë shtrembër ose kanë tendencën të kërrusen e të përkulen më shumë përpara janë nervozë, të përgjumur dhe të stresuar. Mënyra si qëndroni ka shumë të bëjë me mënyrën se si organizmi përballet me situate stresuese. AgroWeb.org ju këshillon aktivitet fizik dhe kujdes të vazhdueshëm me qëndrimin./AgroWeb

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera