Lajme

A do të liberalizohen vizat këtë vit?

Autori: Gazeta inFokus 21:18 | 22 July 2018

Komisioni Evropian ditë më parë ka dalë me raport pozitiv sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës për liberalizim të vizave.

Ky lajm e fut Kosovën në një fazë të re të këtij procesi, e që më, nuk varet nga institucionet e Kosovës.

Njohësit e integrimeve evropian kanë treguar hapat e mëtutjeshëm duke treguar nëse do jetë e mundur që sivjet të bëhet liberalizimi i vizave.

-Advertisement-

Artan Murati në një prononcim për Indeksonline ka thënë se tash Parlamenti Evropian mandatohet nga Komisioni Parlamentar kompetent (LIBE – Komisioni për të drejta civile, drejtësi dhe punë të brendshme) për të proceduar me çështjen në fjalë.“ Pas mandatimit të Parlamentit Evropian, Këshilli miraton pozicionin negociues që i hapë rrugë trialogut mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, ku dakordohet për përmbajtjen e tekstit i cili më pas hidhet në votim në seancë plenare në Parlament, ku nevojitet shumica e kualifikuar. Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli duhet ta votojë propozimin, me shumicë të kualifikuar (55% e vendeve të BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë). E tërë kjo procedurë mund të zgjasë deri në 9 muaj”, ka thënë Murati.

Por, sipas tij, nëse institucionet e vendit tregohen të shpejta dhe të suksesshme në lobim, liberalizimi ka mundësi të ndodh edhe sivjet.

“Megjithatë, nëse institucionet e vendit do të tregohen të shpejta dhe të suksesshme në lobim, liberalizimi mund të ndodhë edhe sivjet, por vetëm nëse Kosova dhe liberalizimi i vizave kthehen në agjendë menjëherë. Diskutimi i paraparë për liberalizim të vizave për Kosovën u hoq nga rendi i ditës me 10 korrik, sepse Komisioni ende nuk e kishte nxjerrë raportin me konkludimet mbi përmbushjen e kritereve. Tash, topi është te BE-ja. Korrupsionin, megjithatë, duhet ta luftojmë edhe më fort, njëmend”, ka shtuar Murati.

Ndërsa, Avni Mazreku thotë për Indeksonline se koha se kur qytetarët mund të udhëtojnë pa viza mund të caktohet vetëm pasi çështja e liberalizmit të vizave dërgohet në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe jo më herët.

Sipas tij, kjo fazë do të jetë edhe hapi më i vështirë.

“Krejt afati kohor varet se kur çështja e liberalizimit të vizave dërgohet në Këshillin e Bashkimit Evropian. Afati mund të caktohet vetëm pas vendimit pozitiv të Këshillit të BE-së. Edhe çështja e raportit të Komisionit Evropian nuk mund të predikojë asnjë lloj date se kur Kosova mund të marr liberalizimin e vizave. Pra, vendimi në stadin e vendimmarrjes politike të Bashkimit Evropian, aty ku kërkohet qëndrimi i shteteve do të jetë më i vështiri. Do të thotë, ministrat e shteteve anëtare që do të votojnë, për ose kundër. Ky është stadi më i vështirë për Kosovën, për shkak të sistemit se si merret vendimi për vizat. Ekziston sistemi i shumicës së kualifikuar, i cili i ka disa instrumente brenda vetes dhe që qëndrimi i shteteve e determinon kualifikimin e shumicës së nevojshme për Kosovën”, theksoi Mazreku.

Ndryshe, pas daljes së raportit nga ana e Komisionit Evropain sa i përket liberalizimit të vizave, krerët e vendit janë shprehur optimist që i gjithë vendimi i liberalizimit të vizave do të ndodh deri në fund të vitit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera