Lajme

Të hënën dita e parë e gjysmëvjetorit të dytë

Autori: Gazeta inFokus 15:39 | 12 January 2020

Në të gjitha shkollat e vendit të hënën fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2019/2020. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë konfirmuar për Radio Kosovën se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e këtij gjysmëvjetori. Ndërkohë, punëtorët e arsimit janë duke nënshkruar një peticion lidhur me pezullimin e Ligjit të Pagave.

Më 13 janar, ditën e hënë, fillon gjysmëvjetori i dytë në sistemin e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2019/2020.

Drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se Ministria në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë komunale të arsimit, ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar ky gjysmëvjetor, ashtu siç është e paraparë me udhëzimin administrativ dhe kalendarin e vitit shkollor.

-Advertisement-

“Sipas informacioneve që kemi, të gjitha drejtoritë komunale të arsimit në bashkëpunim me shkollat dhe këshillin e arsimtarëve kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë. Ne si Ministri i kemi kryer të gjitha obligimet tona institucionale, duke menduar se për mësimdhënësit nuk ka pasur pushim, por vetëm për nxënësit dhe besoj që të gjitha shkollat janë përgatitur me planet e tyre, duke u bazuar në kalendarin e vitit shkollor”, tha Alushi.

Ndërkohë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë pret që të përmbyllet aktiviteti i nisur nga anëtarësia për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e tyre në Qeverinë e Kosovës dhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit, me kërkesën që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për revokimin e vendimit të masës së përkohshme për pezullimin e Ligjit të Pagave. Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha se po presin të formohen edhe institucionet e reja qeveritare, ku siç tha, pritet të dalin sfida të reja.

“Të njëjtën rrugë demokratike po e shfrytëzojmë, duke shprehur kërkesën e mijëra mësimdhënësve tek Avokati, ashtu siç veproi duke respektuar kërkesat e të tjerëve dhe t’i drejtohet edhe njëherë Kushtetueses, jo që të ndikojë për të sjellë ndonjë vendim lidhur me Ligjin, por që të heqë masën e pezullimit të Ligjit të Pagave. Nuk po bëjmë presion, por po bëjmë një kërkesë legjitime”, tha Rrahmani.

Jasharaj, theksoi se Këshilli Drejtues, kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të universiteteve bashkë me kryesinë e SBASHK-ut, urojnë që sa më shpejt të rinisë dialogu për shumë çështje në arsim, dhe nëse anëtarësia vlerëson se dialogu nuk po jep rezultate të duhura, atëherë fillohet me veprime sindikale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera