Lajme

Të “harruar” nga prindërit

Autori: Gazeta inFokus 12:17 | 04 May 2018

Ka kohë që kanë harruar se çfarë është përqafimi nga prindërit.

Madje, disa prej tyre as nuk i njohin njerëzit që i sollën në jetë. Ata nuk patën as kë ta quajnë nënë e baba.

Të tjerë ka vite që nuk dinë asgjë për ta.

-Advertisement-

Numri i fëmijëve që braktisen çdo vit nga prindërit nuk është i vogël. Vetëm vitin e kaluar në vend janë braktisur mbi 30 fëmijë, shkruan Infokusi.com.

“Në vitin 2016 kanë qenë gjithsej  41 fëmijë të braktisur  krahasuar me vitin 2017 kemi rënje rë fëmijëve të braktisur me gjithsej 34 fëmijë”.

Kështu së paku thuhet në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale 2017”, që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në bazë të këtij raporti, muajt më “fatkeq”, kur këta fëmijë u braktisën nga prindërit e mbetën nën përkujdesjen e të tjerëve janë maji e shtatori.

Disa prej fëmijëve, në vend të muajit kur lindën , këta muaj do t’i kujtojnë si maujt kur mbetën të vetëm.

Vetëm për këta dy muaj,  janë braktisur 12 fëmijë.

Ndërsa, për nga numri i të braktisurve sipas komunave prin kryeqyteti, pasuar nga Gjilani e Prizreni.

Fëmijë janë braktisur edhe në qytete të tjera, si : Istogu, Gjakova, Shtimja, Ferizaj, Mitrovica, Novëbërda, Gllogovci, Dragashi, Vushtrria, Shtërpca e Zubin Potoku.

Raste të shumta të braktisjes së fëmijëve ka parë edhe Mevlude Bajra, punëtore sociale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Gjatë tri viteve të fundit sipas statistikave të QKUK-së, janë 102 raste të refuzimit të fëmijëve nga prindërit. Por në 51 prej këtyre rasteve njëri nga prindërit ose të dy i kanë rënë pishman.

“Ka raste kur prindërit kthehen pas 10 vitesh dhe e kërkojnë fëmijën e tyre”, kishte thënë Bjara.

E shkaqet se pse këta fëmijë po braktisen po del të jenë të shumta. Gjendja e rëndë socio-ekonomike e familjeve sipas të dhënave është ndër shkaqet kryesore.

Doktori Halil Kelmendi, Shef i repartit të Lehonisë kishte thënë se, papunësia është primare që shumë nëna heqin dorë nga fëmija i posalindur, pasi që kur janë të punësuar mund ta rrisin fëmijën, ndërsa në të kundërtën i braktisin.

Kelmendi kishte theksuar se është shumë e vështirë ta fajsojme vetëm njërën palë të prindërve që i braktisin fëmijët. Aq më pak nënat që sips tij me zemër të thyer i lënë fëmëijët.

Këto gra sipas doktorit dhe sociologëve nuk kanë përkrahje fillimisht të familjes e më pas shtetërore.

Ferdi Kamberi, sociolog, tregon se pasojat e mos pranimit të fëmijëve nga prindërit në lindje janë të mëdha në të ardhmen.

Sipas tij, pasi që të braktiset fëmija, raportet fëmijë-prindër mund të shndërrohen në urrejtje në të ardhmen sidomos nga ana e fëmijëve të cilët mund ti akuzojnë prindërit e tyre për braktisje, madje edhe ti dënojnë sipas ligjeve në fuqi.

Kodi Penal i Kosovës parasheh se prindërit që braktisin fëmijët mund të dënohen prej gjashtë muajve e deri në tre vjet burgim.

21 fëmijë të adoptuar

Por, përveç fëmijëve që u braktisën, gjatë vitit të kaluar disa edhe u bënë më prindër e familje. Ani pse jo biologjikë.

Ata u adoptuan brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë 2017-ës, numri i fëmijëve që u adoptuan arriti në 21.

18 prej tyre familjen e prindërit i “gjetën” në Kosovë, ndërsa 3 të tjerë në vendet e tjera të Europës.

E gjithë kjo sipas raportit raportit “Statistikat e Mirëqenies Sociale 2017”, të publikuar nga ASK-ja.

Shumica e këtyre fëmijëve u morën nën përkujdesjen e të tjerëve gjatë verës.

“Muajt në të cilët u adoptuan më së shumti fëmijë janë maji dhe shtatori, pasuar nga dhjetori. Në maj e qershor u adoptuan nga 6 fëmijë, ndërsa në dhjetor 5”, thuhet në raportin e ASK-së. (Arjeta Shabani)/Infokusi

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera