Lajme

Të gjitha institucionet e shëndetësisë të premten në grevë

Autori: Hateme Smajli 12:37 | 12 December 2019

Të premten shëndetësia e Kosovës do të jenë në grevë prej orës 07:00 deri në 15:00, shkruan gazeta inFokus.

Spitalet, Pediatria, Gjinekologjia e të gjitha Klinikat e Specializuara së bashku me të gjitha institucionet e tjera të shëndetësisë në vend duke përfshirë këtu edhe Qendrat Klinike Familjare nuk do të punojnë gjatë kësaj kohe.

Këtë e konfirmoi për inFokus Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë të Kosovës i cili tha se ndryshe nga greva 2 orëshe në arsim, greva në shëndetësi do të zgjasë 7 orë.

-Advertisement-

Ai tha se të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë nuk do të punojnë dhe brenda njësive do të trajtohen vetëm rastet të cilat janë urgjente.

“Greva në shëndetësi fillon nga nesër prej orës shtatë të mëngjesit deri në 15:00. Nuk do të trajtohet asnjë rast përveç rasteve urgjente. Mjekësia primare sekondare dhe treciare të gjitha institucionet shëndetësorë do të jenë në grevë por do punohet brenda njësive ku ka raste urgjente” tha Syla.

Sipas tij greva do të jetë vetëm të premten si një paralajmërim por nëse nuk merren pagat sipas ligjit të pagave atëherë greva ka mundësi të vazhdojë.

“Kjo është vetëm një grevë paralajmëruese e nëse nuk merren rrogat sipas ligjit të pagave Sindikata do të mblidhet sërish për të marrë një vendim për veprimet e mëtutjeshme”, tha Syla.

Kujtojmë se greva po mbahet për shkak të dërgimit në Kushtetuese të Ligjit të Pagave nga avokati i popullit.

E në grevë nesër përveç sistemit të shëndetësisë do të jenë edhe sistemi i arsimit dhe policia./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera