Lajme

Të enjten në “qytetin e tolerancës”, mysliman e katolik me një ngjarje të veçantë

Autori: Halil Berisha 14:36 | 04 December 2019

Qytetarët e Komunës së Klinës janë të ndarë në dy besime, krishtere e myslimane.

Por, pavarësisht kësaj, ky qytet i vogël, është bërë simbol i tolerancës ndërfetare, shkruan gazeta inFokus.

Këtu, dy komunitetet fetare japin shembullin më të mirë se si të jetohet bashkë e pa ndonjë problem, për dallim prej botës ku secilën herë e më shumë dallimet fetare po bëhen më të shprehura.

E këtë të enjte, po aq speciale sa është harmonia në këtë qytet, aq edhe e veçantë do të jetë turneu i futbollit të vogël që do të mbahet, shkruan gazeta inFokus.

Në të do të marrin pjesë Kryesia e Bashkësisë Islame të Klinës, Kryesia e Kishës Katolike të Kosovës, KFOR-i dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e kësaj komune.

Në fakt, kjo e fundit që mban emrin e shenjtores “Nëna Terezë” është edhe organizatore e këtij turneu.

Haxhi Ibishi, një nga organizatorët, i ka thënë Gazetës inFokus, se ky turne, mbahet tash e 15 vite.

Mirëpo, sipas tij, këtë vit, korrespondon me një ngjarje tjetër, të cilës edhe i është kushtuar.

“Ky është turnir tradicional tani e 15 vite. Këtë herë korrespondon me përvjetorin e vdekjes së dy punëtorëve të QKMF-së, Dr. Palush Prenajt dhe Dr. Sylejman Gashit. KFOR-i, këtë vit është mysafir i veçante në turne. Prijësit e dy komuniteteve tona fetare së bashku me QKMF-në në Klinë janë aktiv në këtë aktivitet sportiv përgjatë festave tona të përbashkëta për këto 15 vite”, ka deklaruar Haxhi Ibishi./Gazeta inFokus/

Të tjera