Lajme

Të enjten në orën 10:00 betohen kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 23 May 2023

Të enjten pritet ta kryejnë betimin Ilir Peci si kryetar i ri i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri si kryetari i ri i Zubin Potokut. Peci e Zeqiri, procedurën e betimit do ta kryejnë në orën 10:00 në “objekte publike”.

Ilir Peci e Izmir Zeqiri të enjten e 25 majit në orën 10:00 do ta japin betimin si kryetar të Zveçanit e Zubin Potokut.

Këtë e konfirmoi zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi. Ai për Express tha se të dy kryetarët do ta bëjnë betimin në objekte publike, duke shtuar se seancat solemne janë thirrë nga asamblistët më të vjetër të dy asambleve, që janë nga radhët e VV-së.

-Advertisement-

“Të dy komunat që i ka fituar PDK nga zgjedhjet, kanë ftuar brenda afatit ligjor, seancat e tyre për datën 26 maj, por ftesat është bërë nga asamblistët më të vjetër në këto dy komuna, ashtu siç e thotë ligji. Në këtë rast, ka qëlluar që në të dy asambletë, asamblistët më të vjetër të jenë nga radhët e Vetëvendosjes. Janë dërguar ftesat për datën 26 maj, njëra në orën 10:00 tjetra në orën 13:00, por me kërkesë të ministrive dy asamblistët më të vjetër në këto komuna i kanë ndërruar datat dhe vendet, për arsyet që ua ka kërkuar ministria, pra për shkaqe sigurie etj., dhe këto janë vendosur të mbahen me datën 25 maj në objekte publike, por vendin e kanë ndërruar asamblistët më të vjetër në koordinim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Mesa  e di të dy seancat do të mbahen në orën 10:00”, tha Gjoshi për Express.

Peci e Zeqiri janë kandidatët e PDK-së që kanë fituar më së shumti vota në Zveçan e Zubin Potok në zgjedhjet e 23 prillit, që u karakterizuan me dalje të ulët të pjesëmarrjes në votime.

Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për ta pyetur rreth datës së betimit edhe të kryetarit të Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë.

Erden Atiq u betua të premten si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u betua të premten. Ai mori më së shumti vota në zgjedhjet e 23 prillit që u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve.

Të premten, para mbajtjes së seancës solemne, në objektin e komunës u vendos flamuri i Kosovës.

Vendimi i parë që Atiq mori, ishte emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të Komunës.

Atiq, pas betimit tha se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

Atiq tha se bashkë me ekipin e tij synim ka normalizimin e gjendjes në këtë komunë të veriut.

Hovenier kërkoi kryetarë me “rol teknik”, Konjufca thotë se roli i tyre përcaktohet me Kushtetutë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin “konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”, mirëpo shtoi se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.

“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, tha ai në një intervistë për Telegrafin.

Ambasadori amerikan deklaroi se pret nga kryetarët e rinj që të marrin rol teknik dhe jo politik.

“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori.

Hovenier tha se çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre, do të përballet me dënim të ashpër nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar.

Në anën tjetër, kryeparlamentari Glauk Konjufca, sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur para gazetarëve. Ai u pyet për deklaratën e ambasadorit Hovenier se kryetarët në Veri duhet të kenë “rol teknik e jo politik”.

Konjufca tha se roli i kryetarëve të komunave është i përcaktuar me Kushtetutë.

“Rolet e kryetarëve të komunave janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe përgjegjësitë e tyre. Unë mendoj që ata nuk duhet të kenë as më pak, as më shumë. Më pak do të ishte e paligjshme dhe do të ishte kompromis me kornizën tonë kushtetuese, me të cilën ne funksionojmë. E më shumë do të ishte grabitje e kompetencave, pra ne jemi shtet demokratik dhe po pretendojmë me funksionu me kushtetutë, rregulla e ligje më të cilat është pajtuar shoqëria. Ndoshta ambasadori dhe të tjerët kanë mendu që mund të jetë problematike më ushtru funksionin me kompetenca të plota. Mirëpo ne do të bëjmë çmos që ta kuptojnë të gjithë se po jetojmë në një shtet demokratik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera