Lajme

Të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Maloku, u caktohet masa e ndalimit 48 orë

Autori: Gazeta inFokus 17:54 | 09 March 2018

Me urdhër të prokurorit të shtetit dy të dyshuarve për vrasjen e dy vëllezërve Maloku nga fshati Plloqicë i Komunës së Malishevës u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve. Kështu ka thënë për Express, zëdhënësja e policisë në rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj.

Dy vëllezërit, Shani e Bahri Maloku, 44 dhe 33 vjeç nga fshati Plloqicë i komunës së Malishevës u vranë mbrëmë me një breshëri plumbash në oborrin e shtëpisë së tyre. Policia për këtë rast ka arritur që t’i identifikojë dy të dyshuar të cilët mendohet se kanë hyrë mbrëmë në shtëpinë e viktimave.

Për këtë rast  ndaj dy personave prokurori i shtetit ka urdhëruar që të vendoset masa e ndalimit në stacionin policor prej 48 orësh. Këtë e ka konfirmuar për Express zëdhënësja Lirie Podrimaj.

-Advertisement-

“Mund të ju konfirmojë se dy prej disa personave që janë intervistuar sot nga sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, ka thënë Podrimaj.

Versionin që di familja, sipas dëshmitarit, të premten në mesditë ia ka shpjeguar Gazetës Express një tjetër familjar, që qëndronte në rend për të pritur të afërmit që vinin për të parë e ngushëlluar familjen Maloku nga Plloqica e Malishevës.
“Këta janë kanë 5-6 vetë tu lu. Ni djalë i mixhës tyne u dal në oborr, masi e ka kry renin e lojës. O zatet në ta edhe ata ja kanë nxjerrë kallashin e i kanë thanë mos luj, po ai prej tute ka piskat, edhe tanë janë dalë. Ata kanë ikë, këta i kanë njekë, edhe qyshtu”, rrëfen ky familjar për tragjedinë që ndodhi te familjarët e tij.
Ai thotë se dëshmitari ka shpjeguar se plaçkitësit kanë qëlluar në momentin që dy vëllezërit e vrarë kanë qenë shumë afër për t’i kapur plaçkitësit.

“I kanë pas shumë afër këta m’i kapë”, thotë ai.

Sipas tij, cak për vjedhje ishin dy lopët që i mbante babai i viktimës në ahurin e tyre.
Edhe pse ka parë ngjarjen, dëshmitari, sipas familjarëve, ka thënë se nuk ka mundur t’i identifikojë plaçkitësit. Ai ka treguar se në momentin kur kanë qëlluar, të gjithë janë ndalur për t’iu ofruar ndihmë viktimave.

Ndryshe, viktimat Shani Maloku (44 vjeç) dhe Bahri Maloku (33 vjeç) kanë ndërruar jetë pasi janë dërguar në Shtëpi të Shëndetit në Malishevë njëri prej tyre, gjegjësisht në QKUK tjetri.

44-vjeçari kishte qenë pjesëtar i FSK-së, i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Ndërsa, edhe i vëllai tjetër përveç gruas ka lënë pas edhe dy fëmijë./GazetaExpress/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera