Lajme

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2” mohojnë të kenë punuar në spitalet private “IMH” apo “Eda”

Autori: Gazeta inFokus 22:19 | 31 May 2023

Seanca e së mërkurës në rastin e njohur si “Stenta 2” ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit Arlind Batalli, Galina Berisha, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Shemsedin Shabullari dhe Besim Gruda, kurse i akuzuari Mirdi Strana ka shfrytëzuar të drejtën e ti që të mbrohet në heshtje.

Të akuzuarit Batalli, Berisha, Miftari, Koliqi dhe Besim Gruda gjatë dhënies së mbrojtjes së tyre, ndër të tjera kanë mohuar të kenë punuar në spitalet private “IMH” apo “Eda”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, i akuzuari Shabollari është përgjigjur vetëm në pyetjet e mbrojtëses së tij, avokates Myrvete Çollaku, e që më pas ka vendosur që të mbrohet në heshtje.

-Advertisement-

Ndër të tjera ai deklaroi se asnjëherë nuk ka marrë ryshfet nga spitalet private “IMH” ose “Eda”.

“Kurrë asnjëherë prej askujt nuk kam marrë asnjë cent”, tha i akuzuari Shabollari tha ai.

Ndërkaq, në lidhje me të dëmtuarit Xh.J. dhe M.P. ai tha se kanë pasur gjendje të rëndë dhe se i ka ofruar ndihmë sipas ndërgjegjes profesionale.

Po ashtu, Shabollari tha se të njëjtit kanë deklaruar se nuk janë të dëmtuar, por që i janë falënderuar.

Ndërkaq, i akuzuari Batalli ndër të tjera ka deklaruar se në aktakuzë precizohet se ngarkohet për dy raste të nënshkrimeve për konstatimet konziliare, e për të cilat tha se kanë qenë konstatime puro profesionale.

“Përmbajtja ka qenë puro profesionale dhe kanë qenë rekomandime profesionale”, tha i akuzuari Batalli, duke shtuar se kanë dhënë mendime për probleme të ndryshme kardio-vaskulare dhe asnjëherë procedurale në kuptimin administrativ dhe se çdo herë kanë qenë konform udhëzimeve administrative dhe ligjeve në fuqi.

Kurse, e akuzuara Berisha deklaroi se për të njëjtën vepër “marrje ryshfeti” kishte pasur aktakuzë edhe nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, e për të cilën tha se është liruar nga akuza nga themelores me 10 tetor 2014.

Gjithashtu, ajo tha se i njëjti aktgjykim edhe është vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 24 shkurt 2015.

Gjykatësi Mentor Bajraktari në lidhje me një fletore që është gjetur në spitalin privat “IMH” ku sipas tij gjendet emri i saj dhe shuma prej 750, e ka pyetur atë se a ka pranuar ndonjëherë para “chash”, apo përmes xhirollogarisë për ndonjë shërbim.

Një gjë të tillë, e akuzuara Berisha e ka mohuar duke thënë se asnjëherë dhe se pacientët i dërgojnë për në QKUK.

Ndërsa, i akuzuari Miftari është pyetur nga avokati i tij mbrojtës Vehbi Beqiri në lidhje me pacientin e tij T.A..

I akuzuari Miftari tha se i njëjti kishte qenë në kontroll në ordinancën e tij private, mirëpo pas ekzaminimit mjekësor, tha se e ka parë si të arsyeshme që ai të shtrihet në Spitalin e Mitrovicës.

Tutje, ai tha se deri sa ka qëndruar pacienti në spitalin e Mitrovicës i janë bërë të gjitha ekzaminimet, analizat laboratorike, EKG çdo ditë, rëntgen i mushkërive dhe barkut, si dhe konsultime nga koleg të lëmive të ndryshme.

Mirëpo, sipas tij, i njëjti nuk është përmirësuar dhe është rekomanduar për kardiologji në QKUK, për korografi urgjentem, duke shtuar se posedon flet lëshimin dhe se aty mbyllet kapitulli i tij për atë pacient.

Po ashtu, ai u pyet nga avokati Beqiri edhe ne lidhje me aktakuzën, e që sipas të cilit në atë aktakuzë pretendohet se i ka marrë 100 euro nga spitali privat “IMH”, por që i akuzuari Miftari tha se nuk i ka marrë.

“As s’kom marrë as nuk e di si ka ardhë ajo shumë aty. Edhe unë jam shumë kureshtar me ditë kush është ai që mi ka dhanë, kur dhe pse”, ka shtuar tutje Miftari.

I akuzuari Koliqi, gjatë dhënies së mbrojtjes duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij mbrojtës Armend Shkoza, ka deklaruar se nga viti 2011 punon në spitalin regjional të Mitrovicës.

Kurse, ka deklaruar se si mjek specialist internist nuk ka punuar asnjëherë në shtëpinë e shëndetit në Mitrovicë, e që ka pohuar se i bie që ka distancë rreth 2 kilometra me spitalin e Mitrovicës si dhe që është e pamundur të jetë i pranishëm në dy vende të ndryshme në të njëjtën kohë.

Po ashtu, ai është pyetur edhe për rastet të cilat kanë qenë urgjente kur ai kishte qenë në kujdestari.

Në lidhje me këtë ai tha se rastet urgjente të infarktit akut së pari janë pranuar në emergjencë dhe është stabilizuar gjendja e pacientit.

Tutje, Koliqi ka thënë se kur kanë vlerësuar se gjendja e pacientit mundet me qenë stabile deri në institucionin ku e udhëzojnë, atëherë pacienti është udhëzuar për në QKUK për trajtim të mëtejmë.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se në rastet kur spitali i përgjithshëm në Mitrovicë nuk ka pasur mundësi të hospitalizoj pacientin, ata janë udhëzuar gjithmonë për në QKUK.

Pastaj avokati Shkoza e ka pyetur atë edhe në lidhje me fletoren e gjetur në “IMH”, ku sipas tij figurojnë shuma të parave 1 mijë dhe 600 euro afër emrit të tij, e që i akuzuari Miftari tha se në asnjë mënyrë ajo nuk korrespondon me asnjë kompensim.

Krejt në fund, mbrojtjen e ka paraqitur i akuzuari Guda i cili deklaroi se kurrë në asnjë moment nuk ka marrë shpërblim as si “cash” e as përmes xhirollogarisë bankare.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, i akuzuari Guda ka deklaruar se gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Besim Kelmendi i është prezantuar një letër anonime, e për të cilën sipas tij i kishte thënë se është “nul” deri sa nuk vërtetohet ndryshe.

Tutje, ai tha se prokurori ka dërguar hetues në Spitalin e Gjilanit dhe se nga 85 raste të presupozuara që i ka dërguar për stentim, kanë rezultuar asnjë rast.

I njëjti shtoi se dy spitalet private “IMH” dhe “Eda” e kanë dëmtuar atë dhe kolegët e tij.

Seancat e radhës për këtë çështje janë të caktuar me 1 dhe 2 qershor 2023.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.

Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 37 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera